Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se çelësi i reformës në drejtësi është garancia e ofruar nga SHBA dhe BE dhe se mazhoranca nuk do lejojë bllokim të sistemit Kushtetues, pavarësisht veprimeve që mund të ndërmarrë presidenti dhe kushdo tjetër.
“Në një republikë Parlamentare dihen zgjidhjet. Çelësi i suksesit të reformës në drejtësi janë SHBA dhe BE. Edhe në këtë fazë vijojmë të jemi bashkudhëtarë me ta. Nuk do ta lejojmë që sistemi ynë kushtetues të bllokohet”-tha Manja.
Ndërsa për analistin Arian Vasjari situata është shqetësuese pasi ka një anomali në Kushtetutë dhe se kjo mund të bëhet precedent në të ardhmen për ta shfrytëzuar. Vasjari shtoi se Parlamentit i duhet me patjetër të ndërtojë një urë të qartë komunikimi me presidentin.
“Mandati i gjyqtarit fillon pas betimit tek Presidentit. Betimi është ceremonial dhe simbolik, sepse ai që shkon atje pranon një sistem vlerash të përbashkëta të kësaj shoqërie. Ne jemi në vakum dhe unë nuk e konceptoj dot që Arta Vorpsi të shkojë në zyrë pa u betuar para presidentit. Kur themi se është një situatë absurde, ne po krijojmë një precedent dhe ata që vijnë pas Metës ata gjejnë një zgavër dhe mund ta përdorin. Kjo më shqetëson. Ky është një detyrim i këtij parlamentit dhe maxhorancës, të kërkojë ura bashkëpunimi me presidentin. Problemi është se a do të ngremë Gjykata Kushtetuese brenda këtij absurditeti”-tha Vasjari.