Indrit Çelaj nga Mallakastra ishte duke rregulluar një kondicioner në një vilë tre katëshe në rrugën “Myslym Shyri”, kur u qëllua me një plumb në kokë ditën e enjte në mesditë, ndërsa të premten në mëngjes ka ndërruar jetë në spital, pasi qëndroi për disa orë në gjendje kome.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka zbardhur të plotë ngjarjen, ndërsa ka shpallur në kërkim dy autorët e krimit që janë djemtë e pronarit të vilës ku po rregullonte kondicionerin 26-vjeçari Indrit Çelaj.
Policia gjithashtu ka arrestuar 4 persona mes tyre pronarin e vilës, të cilët akuzohen për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetes”.
Ata janë, Bujar Kusi (pronar i vilës), Ferdinant Ibrahim Bakalli, Bujar Shaqir Kusi dhe Luan Sali Çaka. Ndërsa në kërkim janë dy vëllezërit që kryen krimin Griseldo Kusi dhe Albano Kusi (djemtë e Bujar Kusit) të cilët akuzohen për vrasjen e 26-vjeçarit.
Sipas policisë dy vëllezërit, autorët e krimit, shtetasit Griseldo Kusi , 31 vjeç dhe vëllai i tij Albano Kusi , 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, e ka qëlluar me pistoletë duke e plagosur rëndë të riun, i cili ndërroi jetë mëngjesin e së premtes në spital.
Policia njofton se vijon puna për kapjen dy vëllezërve, autorë të krimit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë biseduar me shtetasin Lorenc Veliaj me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të kryera, shtetasi Lorenc Veliaj, 27 vjeç banues në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.