Bulevardi ‘Zogu i Parë’ do kthehet në zonë komerciale tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë prezantimit të projekteve për 4 vitet e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik. Veliaj tha se një nga zonat që do të marrë zhvillim është Bulevardi “Zogu i Parë”. Përveç rikonstruksionit, rruga do të kthehet në një zonë ku lokalet dhe firmat e njohura të modës do të kenë filialet e tyre, për ta kthyer në zonë të ngjashme me rrugët komercialet në qyteteve të ndryshme të Europës.
“Duam ta kthejmë në një distrikt shopping-u, kjo është arsyeja pse duam të fillojmë investimin, që mos të dallojë cilësia nga sheshi “Skënderbej” deri te Bulevardi i Ri, ku ka qenë stacioni i trenit. Tirana ka shumë atraksione në qendër, por nuk ka mjaftueshëm hapësira këmbësore, ku ti bën shooping dhe kalon kohë, ke të gjithë restorantet. Duam që i gjithë “Zogu i Parë” të kthehet në një hapësirë të tillë komerciale, tërheqëse. Kush është në ato linja biznesi, si restorantet apo dyqanet e modës, do t’ju këshilloja sa s’ka filluar investimi, ky është momenti ideal për të investuar tek Zogu i Parë, duke qenë se duam ta punojmë me një cilësi të jashtëzakonshme atë investim. Në fakt, o do ta bëjmë siç duhet, që të jetë aty 100 vjet, ose nuk do të bëjmë më arna në këtë qytet.” – tha Veliaj
Një tjetër nismë do jetë edhe krijimi i Zonës së Lirë Ekonomike. Veliaj tha se procesi i aplikimit pranë qeverisë shqiptare është në përfundim dhe shumë shpejt do t’i hapet drita jeshile nisjes së punës për këtë projekt zhvillimor të biznesit. Po ashtu, ai foli edhe për projektin tjetër, krijimin e tregut të ri agro-ushqimor, i cili po ashtu ndikon pozitivisht te biznesi dhe fermerët. Unaza e re, zgjerimi i Lanës dhe përfundimi i Bulevardit të Ri janë tre projektet e tjera të Bashkisë së Tiranës për 4 vitet në vijim.