Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-rivali i tij në zgjedhjet e 30 qershorit, Arben Skënderi, kanë qenë të ftuarit e parë të emisionit Real Story të gazetarit Sokol Balla në News 24. Përballë dy analistëve, Erl Murati dhe Agron Gjekmarkaj, Veliaj ka shpjeguar fillimisht deklaratat ndaj Ilir Metës në aktivitetin e mbajtur në Pezë të hënën, në kujtim të Konferencës së Pezës. Veliaj u shpreh se “nuk kam asgjë personale me Presidentin, por s`mund t`i shmangesh betejave kur flet për pluralizëm”.
“Unë nuk kam asgjë personale. Thjesht gjërat duhen thënë siç janë. Nëse një kryetar bashkie merr përsipër të pastrojë monumentet nga llotot e Presidentit. Sot kisha një apel, duhet t`i respektojmë atdhetarët. Unë cilësova në Pezë intuitën e cilësisë së fshatit. Nëse do evokojmë histori të pluralizmit, duhet ta themi prapë historinë të plotë. Kur u shkrehën pushkët vetëm një pjesë vajti të luftonte gjermanin, pjesa tjetër luftoi shqiptarin. Të thuash duam pluralizëm dhe ti shmangesh betejat. Asgjë personale me Presidentin. Nuk mund të predikosh te partizanët, dhe tu dalësh para fadromave të bashkisë, dhe të flasësh për pluralizëm kur u shmangesh betejave”, u shpreh Veliaj.
Më tej, Veliaj është shprehur se nuk ka pasur kohë të lexojë raportin e Ilir Metës për mbrojtjen përballë Komisionit të Venecias. Sipas tij, gjatë të hënës i është përkushtuar hapjes së shkollave, duke treguar se Tirana ka përfituar disa shkolla të reja si bashkëpunim mes bashkisë dhe biznesit privat.
“Nuk e kam lexuar raportin e Metës. Po të kisha kohë të lexoja raportin, do rrija më shumë me tim bir. Në thelb ne do paguajmë me këste shkolla sepse nuk i kemi ato lekë. Ky është një problem akut, që nuk i thua dot Tiranës ‘që ne nuk kemi lekë dhe nuk do bëjmë shkolla’. Nga familjarët vilen më pak se 2 milion lekë në vit. Në momentin që gjysma janë o pensionist, persona me aftësi të kufizuar apo me ndihmë ekonomike, dhe kjo shumë nuk mblidhet”, tha Veliaj.
Ndërkohë, duke folur për mësimin me dy turne, Veliaj u shpreh se tani kanë mbetur vetëm dy gjimnaze ku zhvillohet mësim me dy turne. Ai tha se për të arritur këtë është punuar shumë për hapjen e shkollave të reja. “Ka qenë Çajupi me dy turne. Shkolla Kosova nuk ekzistonte fare. Ne sot jemi shumë afër kësaj arritje. Shkolla ‘Servete Maçi’ është një shkollë e re. Sot kemi më pak mësim me dy turne. Kemi hapur disa shkolla të reja për të reduktuar mësimin me dy turne. Na mori katër muaj vetëm sherri me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kanë mbetur vetëm dy gjimnaze që kanë mësim me dy turne. Jemi shumë afër arritjes që të mos kemi më mësim me turne. Ndërtimi i një shkolle kushtojnë nga 2-3 milion euro por dhe më shumë”, u shpreh Veliaj. /Realstory.al/