Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar një galeri me foto nga teatri ku shfaqet degradimi i godinës. Veliaj shkruan se e mirëkupton përpjekjen e Lulzim Bashës që nga halli po shkel për herë të parë në teatër, ndërsa fton të gjithë shqiptarët që të shohin fotot dhe të mendojnë nëse ia vlen ta mbajmë ende këtë godinë?
“Shumë mirëkuptim për Lulzim Basha dhe Ujësjellësin Kamëz që prej hallit po futen në teatro, ku s’kanë shkelur kurrë më parë – kërcejnë nga belaja. Por pse duhet fëmijët e këtij vendi të rriten në këtë karakatinë e të mos kenë të njejtën cilësi teatri si shkolla “Kosova”, “Pazari i Ri”, apo Parku i Liqenit? Shihni vetë, e gjykoni nëse ja vlen që PD dhe seksioni i kulturës në parti duhet ta mbajnë këtë vend peng akoma!!!”, shkruan Veliaj.
Shumica e aktorëve me emër janë në mbështetje të shembjes së godinës së teatrit kombëtar ndërsa vënë në dukje se ajo nuk ofron as kushtet minimale për punë; ndërsa në mbrojtje të tij janë një grup artistësh dhe mbështetësish në opozitës. Madje gjatë të enjtes kreu i PD-së Basha firmosi një marrëveshje simbolike me Aleancën për Mbrojtjen e teatrit dhe premtoi se kur PD të vijë në pushtet do të shfuqizojë ligjin për shembjen e tij.