Eldin Dergjini, vëllai i deputetes së LSI, Amra Borova, i cili tre muaj më parë u bë protagonist i mediave shqiptare për shkak të një aksidenti me makinë të blinduar, është arrestuar në Graçanicë të Kosovës për dhunë ndaj një personi me mjete të forta. Por, pas arrestimit është zbuluar se ai mbante edhe një kartë identiteti të Kosovës, me emrin Ferdi Berisha, i lindur më 10 janar 1986 në Obiliç dhe me banim në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë së Kosovës, kjo ID dyshohet se është falsifikuar.
Në bazë të këtyre të dhënave, policia e Kosovës ka vendosur arrestimin e tij, ndërkohë që ka kërkuar informacion nga policia shqiptare për identifikimin e plotë dhe nëse kërkohet nga drejtësia shqiptare për ndonjë vepër penale. Faktet ndaj vëllait të deputetes së LSI janë raportuar nga portali Insjaderi.com, i cili deklaron se Dergjini u arrestua më 22 nëntor të këtij viti në një fshat të Graçanicës, për shkak të një sulmi me shishe që i kishte bërë një personi.
Por, arrestimi i tij ka zbuluar dhe rikonfirmuar përfshirjen e administratës së Kosovës në krim të organizuar – shitje të dokumenteve dhe të shtetësive për kriminelë të huaj, pasi Dergjini është pajisur me identitet të ri në Kosovë. Dergjini është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës më 7 shtator të këtij viti, ndërkohë që më 11 shtator u përplas te sheshi “Shqiponja”. Në momentin e përplasjes, ai ka pretenduar për një aksident rrugor dhe që më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, por policia ngriti dyshime për atentat të mundshëm ndaj tij.
Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2014 është arrestuar në Tiranë dhe më pas gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”. Por jo më larg se gushtin e kësaj vere, Dergjini është arrestuar në Himarë për shkak se ishte kapur me armë mbajtje pa leje. Por edhe në këtë rast ai është lënë i lirë në rrethana të paqarta. Gjithashtu, ai rezulton i dënuar para një viti në Trieste të Italisë për trafik droge. Pikërisht për këtë të shkuar, policia ngriti dyshimet se Eldin Dergjini i ka shpëtuar një atentati gjatë aksidentit. Tashmë, atij i duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë edhe për dy vepra penale, atë të dhunës së ushtruar ndaj një qytetari dhe mbajtjes së dokumenteve false.