Vendimi i dytë i Gjykatës së Durrësit, ku kryebashkiakja e zgjedhur Valbona Sako bëri një kërkesë të dytë me objekt të ri, nuk është pritur mirë nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili ngriti flamurin e triumfit për vendimin e marrë të mërkurën nga gjyqtarja Margjeka, bashkëshorte e një militanti të PD.
Menjëherë pas vendimit të dytë, ku gjykata pranoi vërtetimin e mandatit të Sakos, ndryshe nga vendimi që rrëzoi “verifikimin”, ka reaguar kryedemokrati, duke e cilësuar vendimin si drejtësi private.
“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, deklaroi në reagimin e tij Basha, nën instruksionin e të cilit, të gjithë bashkiakët e djathtë kanë nisur një betejë ligjore për të penguar me të gjitha format të zgjedhurit e 30 qershorit.
Krerët e djathtë të bashkive i janë drejtuar prokurorisë me kallëzime për zgjedhjet e 30 qershorit, duke denoncuar shkelje të ndryshme nga komisionarët, por kanë bërë edhe padi në Gjykatën Kushtetuese për njohjen e dekretit të Metës dhe nxjerrjen nul të zgjedhjeve të 30 qershorit. Me këto veprime, PD duket se ka zgjedhur të ndryshojë mënyrën e protestimit, duke dëgjuar kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve, të cilët kanë dënuar dhunën e opozitës dhe kanë kërkuar prej saj t’i drejtohen rrugës ligjore.
Duke kryer kallëzime në prokurori dhe padi në gjykata, opozita duket se po shpreson të marrë ndonjë masë sigurimi nga organet e drejtësisë që zgjedhjet e 30 qershorit të mbeten pezull deri në arritjen e një konsensusi për zgjidhjen e krizës politike, me qëllim ripërsëritjen e zgjedhjeve, pasi me bojkotimin e tyre, opozita humbi edhe ato bashki që kishte në administrim.