PD me Metën për Xhaferllarin, por “shet” Besnik Muçin

AKTUALITET


Opozita ka dalë në mbrojtje kreut të shtetit, Ilir Meta për dekretin e Xhaferllarit, por ajo është distancuar nga vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Besnik Muçin, duke deklaruar se nuk e komentojnë vendimin e vettingut. Kjo deklaratë zyrtare është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili po ashtu është shprehur kundër marrjes së mendimit të Komisionit të Venecias, me pretendimin se kjo do të shkaktojë vonesa.

“Lidhur me debatin për Gjykatën Kushtetuese, ne mbështesim plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetues të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Është provuar qartë dhe pa asnjë mëdyshje se Edi Rama kërkonte të vidhte një anëtar që i takonte ta emëronte Presidenti”, tha PD, duke mbrojtur në mënyrë indirekte edhe Xhaferllarin, e cila duket se i rri më për shtat demokratëve, që për shkak të djegies së mandateve nuk patën mundësi që të votojnë për ndonjë nga dy kandidatët që miratoi Kuvendi.

Ndërsa për dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, PD shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. “Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Bardhi, duke e konsideruar këtë çështje vonesë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Por nga ana tjetër, PD ka “shitur” anëtarin e përjashtuar nga vettingu të Gjykatës Kushtetuese. “Lidhur me çështjen e z. Besnik Muçi pas vendimit të KPA-së, qëndrimi ynë është se Partia Demokratike nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë ose me të padrejtë. Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato”, deklaroi PD.

Reagimi opozitës ka ardhur pas deklaratës së ambasadës së SHBA, e cila sugjeroi që rastin Xhaferllari-Vorpsi ta dërgojë pranë Venecias për një interpretim të paanshëm, pasi Komisioni i Venecias ka shqyrtuar raste të tilla edhe më herët. “Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”, deklaroi ambasada e SHBA, ndërkohë që një thirrje e tillë ishte bërë më herët edhe nga BE, nëpërmjet zëdhënëses, Maja Kociancic, e cila i sugjeroi Kuvendit që të kërkojë me urgjencë edhe një mendim të Komisionit të Venecias për interpretimin metës, të cilësuar të papajtueshëm.

E këtë sugjerim, mazhoranca duket se ka vendosur ta vendosë në zbatim, ashtu siç konfirmoi edhe kreu i grupit të PS në Kuvend, Taulant Balla. Madje, News 24 mori një prononcim nga Komisioni i Venecias, i cili u shpreh i gatshëm për të dhënë një mendim që mund të sqarojë përplasjet politike mbi interpretimet e ndryshme që i janë bërë emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. /Realstory.al



Skip to toolbar