Gjatë tetorit, pati më pak aksidente, por më shumë të vdekur

AKTUALITET


Aksidentet rrugore gjatë muajit tetor 2019 pësuan një rënie me 20.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit tetor 2019 u shënuan 118 aksidente krahasuar me 149 aksidente në të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Por nëse në pamje të parë shifrat janë optimiste, pasojat e tyre tregojnë të kundërtën.

Ndonëse numri i aksidenteve ra ndjeshëm, gjatë muajit tetor të këtij vdiqën në rrugët e vendit 25 persona, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, vdiqën 16 persona, pra 9 jetë të humbura më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, në total, nga janari deri në tetor të këtij viti kanë humbur jetën 182 persona krahasuar me 168 të një viti të kaluar. Kjo tregon se pavarësisht se kanë ndodhur më pak aksidente, pasojat e tyre kanë qenë më fatale.


Sipas INSTAT, në muajin Tetor 2019, aksidentet rrugore, në 83,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 22,9 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 28,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në dhjetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore, në 14,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 35,1 %, krahasuar me një vit më parë.




Skip to toolbar