Drejtoresha e Kadastrës Vlorë Elona Hodaj dhe zëvendësdrejtori Krenar Xhemali kanë dhënë dorëheqjen, vetëm pak kohë pasi kishin marrë detyrën e re.
Elona Hodaj ishte emëruar në krye të Kadastrës Vlorë më 24 shtator, por vetëm 20 ditë më pas zgjidhi të jap dorëheqjen. Nuk dihen arsyet e këtij vendimi, por kadastra e Vlorës prej kohësh është në ngërç dhe furtunë shkarkimesh dhe largimesh.
Më herët janë shkarkuar nga detyra nëndrejtori i Kadastrës Klodian Troci dhe tre specialistë, si pasojë e mos zbatimit të një vendimi gjykate për një pronë. Gjithashtu kanë dhënë dorëheqjen edhe drejtori i komanduar i Kadastrës Florian Almadhi, i cili u zëvendësuar me Alteo Nazëraj dhe nënkryetari i kadastrës së Vlorës, Ardian Musta. Abuzimi me pronat në bregdet ka nisur edhe një hetim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po kalon në “sitën” e saj të gjitha dosjet e firmosura në 4 vitet e fundit, për të parë nëse ka pasur shkelje të tjera apo jo.