Është mbledhur të hënën Këshilli i Lartë i Prokurorisë i cili shtyu edhe njëherë afatin për verifikimin e plotësimit të kushteve nga ana e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Shkak për këtë është bërë fakti se një nga kandidatët, Olsian Çela ende nuk ka kaluar procesin e vettingut, pra nuk ka ende një vendim për të nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Për këtë arsye KLP ka vendosur të presë përfundimin e këtij procesi. Madje i ka dërguar një shkresë KPK që të përshpejtojë vlerësimin për Olsian Çelën.
Nga ana tjetër KLP vendosi ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë dokumentet e depozituara nga kandidatët për postin e prokurorit të përgjithshëm.
“Kishim vendosur që në mars që në rast se në përfundim të afatit ligjor për verifikimin e plotësimit të kushte ato kandidatë nuk janë verifikuar ende nga KPK, KLP do të presë derisa ky proces të përfundojë. Ne konstatuam që ky proces nuk ka përfunduar ende, ndaj dhe vendosëm të shtyjmë afatin.
Kemi çuar një shkresë drejtuar komisionit të pavarur të kualifikimit për kandidatin Olsjan Çela. Por është proces voluminoz ndaj dhe do presim ende”, tha për mediat kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Katër kandidatët zyrtarë për postin e kryeprokurorit janë Olsian Çela, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe avokati Lulzim Alushaj.