Votimi për zgjedhjet e 30 qershorit ka qenë një proces i qetë dhe paqësor. Ky konfirmim ka ardhur nga kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR, e cila ka bërë publik raportin paraprak të vëzhguesve për zgjedhjet, por nuk ka kursyer kritikat si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ku nuk ka lënë mënjanë as KQZ-në.
Zgjedhjet nuk mbajtën parasysh elektoratin
“Këto janë zgjedhjet e 14-ta që OSBE/ODIHR vëzhgon në këtë vend. Ne kemi mbërritur si mision që më 23 maj dhe kanë ardhur më pas vëzhgues edhe afatshkurtër, në total 126. Ne vëzhgojmë të gjithë procesin zgjedhor. Ne jemi këtu pa ndonjë ide të paracaktuar dhe pa asnjë axhendë të fshehtë. Ne jemi plotësisht të paanshëm dhe si gjithmonë lëmë faktet të flasin. Ne nuk na intereson se kush i fiton zgjedhjet, i vlerësojmë në bazë të përputhshmërisë së tyre në lidhje me OSBE dhe standardet ndërkombëtare. Zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën pa mbajtur parasysh elektoralin. Opozita vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa qeveria ishte e vendosur për t’i mbajtur këto zgjedhje pa opozitën. Në këtë klimë të një polarizimi politik zgjedhësit nuk patën ndonjë mundësi reale për të zgjedhur mes subjekteve të ndryshme politike. Në 31 bashki kandidatët për kryetar bashkie garuan pa kundërshtar. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët se ishin në presion nga të dyja palët. Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratë zgjedhore u morën duke pasur si objektiv garantimin e këtyre zgjedhjeve. Votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR.
Tërheqja e opozitës kufizoi zgjedhjen e qytetarëve për kandidatët
“Më lejoni të bëj një pyetje për kë bëhen zgjedhjet, për politikanët apo votuesit? Në zgjedhje pjesëmarrësi më i rëndësishëm është votuesi. Në fund të fundit zgjedhjet bëhen që njerëzit të zgjedhin njerëzit që duan t’i përfaqësojnë. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje të votojnë lirshëm për kandidatin që ata zgjedhin pa asnjë lloj presioni. Duhet të jenë të sigurt se vota e tyre do të ruhet e sigurt dhe do të numërohet si duhet. Kandidatët duhet të kenë akses të barabartë në media. Zgjedhjet duhet të jenë të mirëorganizuara dhe funksionale në të gjitha nivelet dhe në përputhje me të gjitha ligjet. Duhet të ketë edhe një gjykatë funksionale që të shqyrtojë ankesat e apelimeve të kandidatëve dhe zgjedhësve. Por si funksionoi në praktikë. Një sërë partish politike dhe grupe votuesish arritën të dilnin me kandidatë. Tërheqja e partive opozitare e kufizoi mundësinë që votuesit të mund të zgjidhnin kandidatët e tyre. KQZ ndonëse e rriti numrin e garuesve nuk ishte gjithmonë transparente në publikimin e vendimeve të saj. Në total për 61 bashki u regjistruan 97 kandidatë kandidatë për kryetar bashkie. Megjithatë në 31 bashkitë në fletën e votimit ishte vetëm një emër kandidati, nuk pati kundërshtarë”, tha kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR Audrey Glover.
Politika të punojë në emër të shqiptarëve
Ambasadorja Glover tha gjithashtu se zgjedhjet u mbajtën dhe tashmë politika duhet të punojë në emër të gjithë shqiptarëve. “Ishin zgjedhje me qëllim që votuesit të zgjidhnin kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiak dhe u zhvilluan në një mjedis tejet të ngarkuar politik. Sa i përket ditës së zgjedhjeve, kryetarët e bashkive të opozitës i dërguan letra KZAZ-ve duke i kërkuar të lironin ambientet e bashkisë. KQZ-së iu desh të ndryshonte më shumë se 200 qendra votimi, disa qendra numërimi dhe KZAZ. Në gjysmën e bashkive ku opozita u tërhoq, votuesit nuk kishin mundësi të zgjidhnin. Administrata lokale në disa pjesë nuk bëri pjesë punën e vet për të siguruar të drejtën për të votuar. Përveç kësaj media nuk pati pavarësi dhe në vend të ofronte informacione për kandidatët u fokusua te kriza politike. Kuadri ligjor për zgjedhjet mund të ofronte bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Por që ai të zbatohet siç duhet kërkon vullnetin politik të aktorëve zgjedhorë”, deklaroi Glover.
Votuesit, nën presion politik
“Ne pamë prova se votuesit ishin në presion nga të gjitha forcat politike. Kjo nuk e ka lejuar votuesin të votojë i lirë dhe i mirë informuar. Kjo cenoi besimin e votuesve. Megjithatë pavarësisht pasigurisë zgjedhjet u mbajtën dje. Nëse morën apo nuk morën pjesë atë të gjithë duhej të ishin trajtuar me respekt. Aktorët politikë duhet të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm atyre që i mbështesim. Ne do të raportojmë raportin tonë për dy muaj. Ky raport do të përmbajë rekomandime dhe ODIHR do të ishte i kënaqur të vazhdonte të mbështeste. Ne i urojmë Shqipërisë sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politikë dhe u kërkojmë aktorëve politikë të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve të këtij vendi”, tha Glover.
Përmbushja e standardeve?
Kryesuesja e OSBE-ODHIR Audrey Glover deklaroi se ende po mblidhte informacion në të gjithë vendin nëse këto zgjedhje i kanë përmbushur apo jo standardet, ndërsa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. “Ne ende po mbledhim informacione nga vëzhguesit tanë në të gjithë vendin dhe nuk kemi ende një raport të plotë për të gjithë vendin dhe të gjithë procesin zgjedhor. Në dy muaj ne do kemi një raport përfundimtar ku do të jetë ky vlerësim”, u shpreh ambasadorja.
Ndërsa e pyetur se sa shanse ka të certifikohen zgjedhjet e 30 qershorit dhe nëse ka ndonjë shans për tu ripërsëritur nisur nga fakti që ka një dekret të presidentit Meta për 13 tetorin, kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR u përgjigj: “Në fakt nuk është puna jonë të certifikojmë zgjedhjet, janë autoritetet e këtij vendi, një sërë konsultimesh me një sërë gjykatash për të parë nëse certifikohen apo jo. Nuk është mandati ynë të certifikojmë zgjedhjet ne do të dalim me raportin tonë përfundimtar”.
Glover është pyetur edhe nëse ka ngjashmëri të zgjedhjeve të vitit 1996 me zgjedhjet e vitit 2019 dhe a mund të ofrojnë standardet hapjen e negociatave? “E para doja të sqaroja që në maj të ’96 nuk kam qenë fizikisht këtu. Nëse këto standarde na ndihmojmë në hapjen e negociatave, nuk është detyra jonë të themi se kur ndikojnë këto standarde të zgjedhjeve. Do të ishte një pyetje më e përshtatshme për misionin”, tha ajo.
Mosrakordimi i shifrave
Kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR, Audrey Glover u pyet gjatë konferencës në lidhje me mosrakordimin e rezultateve të pjesëmarrjes sipas informacionit paraprak të KQZ-së dhe ato që po dalin nga numërimi i votave. Glover tha se sapo e ka mësuar këtë informacion pasi vëzhguesit e OSBE-ODIHR janë ende në proces raportimi, por tha se shpreson që autoritetet ta zbardhin këtë ngjarje dhe të mos kemi të bëjmë me ndryshime fiktive të votave. “Në lidhje me numrin e votuesve që raportohet se është më i vogël sesa numri i votave sapo po e dëgjoj ne jemi duke marrë akoma informacion nga vëzhguesit, Shpresoj që autoritetet të jenë duke e parë nëse kemi të bëjmë me mbushje fiktive të kutive”, u shpreh Glover.
A do të kthehej sërish në Shqipëri për të monitoruar procesin nëse zgjedhjet e 30 qershorit do të përsëriteshin? Glover thotë se do të ishte kënaqësi për të, por shton se këtë e vendos OSBE-ODIHR pasi monitoron situatën në vend. “Unë do kisha dëshirë të kthehesha sërish në Shqipëri, por do duhej që sërish të na bëhej një ftesë dhe nëse e merr këtë ftesë OSBE/ODIHR do të dërgonte një mision faktmbledhës për të parë si është situata, dhe pastaj të vendoste nëse do ta sillte një mision vëzhgues”, u shpreh kryesuesja e misionit vëzhgues.
Akuzat e opozitës për KQZ-në
Glover u pyet nga gazetarët nëse pajtohet me akuzat e opozitës që e quan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Vjedhjeve. Kryesuesja e misionit vëzhgues të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, tha se nuk mund të japë një qëndrim të sajin pa ditur më parë se ku janë bazuar këto akuza. “Nuk jam shumë e sigurt çfarë këto akuza janë dhe ku janë të bazuara, do të doja të dija më shumë detaje për bazën e këtyre akuzave përpara se të isha në gjendje për të thënë jam apo nuk jam dakord”, u përgjigj Glover.
Vëzhguesit e OSBE-së kanë qenë të shpërndarë gjatë gjithë ditës së dielë në të gjithë Shqipërinë dhe kanë mbajtur shënim jo vetëm mbarëvajtjen e procesit zgjedhor por edhe atë të numërimit të votave.
Ndërkombëtarët e OSBE publikuan gjetjet e tyre që marrin një rëndësi të veçantë për certifikimin e këtij procesi të shumë debatuar zgjedhor.
Kujtojmë se gjatë ditës së dielë Glover kishte parashikuar të shikonte nga afër procesin e votimit në qendrën e votimeve në Shkollën Vasil Shanto, por ajo e anuloi vizitën për shkak të protestave të organizuara nga mbështetës të PD-së.
Përveç vëzhguesve të OSBE, në terren gjatë ditës së dielë kanë qenë edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë të cilët bashkë me stafet e tyre kanë ndjekur nga afër procesin e votimit.