Kreu i PD-së Lulzim Basha shprehet se politika i ka bërë shumë dëm vendin.
Ndërsa ka shpërndarë një video-mesazh të shkëputur nga intervista e dhënë në emisionin ‘RealStory’, kryedemokrati thekson se vendit mund t’i kthehet shpresa, duke filluar me ndërtimin e urave të besimit aty ku mungojnë.
Më tej shton se interesi i ‘Trekëndëshit të Bermudes’ është ta mbajë Shqipërinë në këtë gjendje që është dhe jo ashtu siç e duan shqiptarët.
“Të oshtijë dhe njëherë Shqipëria nga shpresa, jo nga dëshpërimi. A është e mundur?! Është plotësisht e mundur. A është e vështirë?! Është shumë e vështirë. Dëm të madh ka bërë politika dhe pikërisht këta që përmende, dinosaurët, unë e quaja karuseli, ju e quanit dinosaurët e politikës.
Ndaj, po, jo vetëm është e mundur por do të ishte mëkat i pafalshëm nëse tani, që jemi çliruar nga kjo ngarkesë negative, tani që jemi vendosur me vetëdije përballë tyre, përballë “Trekëndëshit të Bermudës”, në kuptimin e një trekëndëshi politik 30 vjeçar që ka interes ta mbajë Shqipërinë kështu siç është dhe jo ashtu siç e duan shqiptarët.
Pa diskutim, Partia Demokratike disponon dhe unë kam vullnetin që gjithë këtë potencial t’ia vëmë në funksion shoqërisë. Së pari, duke ndërtuar urat e besimit aty ku mungojnë, duke i riparuar aty ku i kemi dëmtuar”, shprehet Basha.