Real Madrid u mund me rezultatin 3-7 nga Atletiko Madridi në një ndeshje të vlefshme për turneun “International Champions Cup”. Të besuarit e Simeones, duket se e morën shumë seriozisht këtë takim, ndryshe nga ata të Zidane që hynë në fushë për një ndeshje, ‘më pak’ se miqësore.
Prestigjiozja “AS” ka publikuar një video nga stërvitja që dy skuadrat kanë bërë në fillim të takimit, aty ku shihet qartë se lojtarët e Real Madridin nuk kishin në mendje të ishin seriozë. Në vend të përgatitjes normale, futbollistët bënin shaka me njëri-tjetrin dhe luanin me top.
Nga ana tjetër Atletiko përgatitej si për një finale, me skuadrën të organizuar mjaft mirë dhe të ndihmuar nga pjesëtarët e stafit teknik. Përgatitja para ndeshjes, u pa edhe në fushë, aty ku Atletiko shkatërroi Realin me rezultatin 7-3, ku 4 gola i shënoi Diego Kosta.
Turpërimi që i shkaktoi Atletico Madrid mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e Zinedine Zidane. Jo vetëm kjo humbje, por që nga momenti kur Zidane u rikthye në Madrid gjërat nuk kanë shkuar ashtu si presidenti Florentino Perez dëshironte. Humbja në derbi, pavarësisht se një test miqësor, nuk është pritur mirë nga Perez por as mënyra se si Zidane po menaxhon këtë merkato vere.
Presidenti i Realit nuk është kursyer aspak, ka shpenzuar mbi 300 milion euro, por Zidane vijon të kërkojë sërish përforcime. Atmosfera në dhomat e zhveshjes nuk është nga më të mirat, dëmtimi i Asensios, mënyra se si Zidane kërkon të largojë Bale dhe James, apo dhe shumë titullarë të tjerë që nuk ndihen të vlerësuar, ka bërë që Perez të mendojë për largimin e Zidane.
Sipas mediave spanjolle: Perez madje ka gjetur dhe zëvendësuesin e tij, bëhet fjalë për Jose Mourinhon. “Special One” është në pritje të një projekti serioz, i cili ka refuzuar disa oferta, por kur bëhet fjalë për Realin nuk mund të thotë jo. Për Mourinhon ky do të ishte një rikthim i bujshëm në Madrid atu ku me Realin fitoi një titull kampion në La Liga, 1 Kupë Mbreti dhe 1 Superkupë.