Vilsonin e vrau shoku i tij, ishin bashkë në emigrim. Flasin familjarët

AKTUALITET


Pas hetimeve, këqyrjes së pamjeve filmike, dhe marrjes së dëshmive, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Noel Dishi si i dyshuari kryesor për vrasjen e 28-vjeçarit Vilson Tafçiu në zonën e “Astirit” në Tiranë, mbrëmjen e 20 janarit. Shtetasi Noel Dishi i cili përdor 3 emra të ndryshëm është nga Dibra e banues në Sukth, ndërsa policia ka marrë në pyetje familjarët e tij, të cilët kanë konfirmuar se ai ka qenë shok me viktimën, dhe kanë qenë bashkë në emigracion, si në Francë ashtu edhe në Zvicër. Sipas policisë vrasja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit.

Familjarët e tij kanë thënë për policinë se Vilsoni ishte shok me djalin e tyre dhe madje shkonte shpesh në shtëpinë e tyre.

Grupi hetimor ka arritur të zbardhë se mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishit ka ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë por motivin e saj nuk e dinë ende. Prindërit e tij kanë pohuar se me të birin nuk janë takuar një ditë para se të ndodhte vrasja.

“Si rezultat i punës profesionale, reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe bërjes së një sërë veprimesh proaktive, grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020 në Astir, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari V. T.

Bazuar në veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke vrarë shtetasin V. T.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim policor 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjecari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.

Policia e Tiranës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë, si dhe fton qytetarët për të bashkëpunuar më tej, në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt”, njofton policia.

Vilson Tafçiu (Noka), u vra me 3 plumba mbrëmjen e 20 Janarit, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Astirit të Tiranë. Dëshmitarët thanë se atë e thirri një djalë i gjatë dhe doli jashtë. Sapo ka dalë jashtë lokalit ai është qëlluar me 3 plumba që i morën jetën.



Skip to toolbar