Viti 2019, i qeverisë apo i opozitës? Minxhozi: Tërmeti ribëri fabulën politike

POLITIKË


Analisti Skënder Minxhozi i sheh larg në krahasime vitin 1997 dhe vitin 2019. I ftuar në “Real Story” në News24, ai tha se ‘97 ka qenë një vit i mbrapshtë, një vit unik, një vit i papërsëritshëm dhe se krahasimi çalon. Sipas tij, në këtë vit ne kemi pasur drama pallati plot.

“Nuk e di se sa mban dhe krahasimi dhe përballja. ’97 ka qenë një vit i mbrapshtë, një vit unik, një vit i papërsëritshëm dhe kjo është diçka e mirë. Një vit i cili u poq, kujtoj nga viti paraardhës kur u mbajtën zgjedhjet më të këqija në 30 vitet e demokracisë shqiptare dhe që pastaj kulmoi me djegien e gazetës më të madhe në Shqipëri, me rizgjedhjen e Berishës president në një klimë kur gazetarët gjuheshin si të ishin gjahu në pyll domethënë ku t’i kapnin dhe kur të gjitha ushtritë e huaja u futën këtu për të qetësuar një vend, i cili sapo kishte hapur depot dhe kishin dalë 1 milion armë në rrugë. Në këtë sens, krahasim për mua çalon qysh në fillim, nuk është ajo dramë, se ka disa lloje dramash mendoj unë. Dramë pallati dhe dramë sheshesh, rrugësh. Në këtë vit ne kemi pasur drama pallati plot, por jam dakord me Fatosin që nuk ka një proporcion mes asaj që ndodh brenda ngrehinës dhe asaj që ndodh në sheshin poshtë.

Njihet kjo lloj fabule. Kur ti starton një aksion politik pa llogaritur se cili do të jetë reagimi dhe impakti që do të ketë poshtë në shoqërinë shqiptare ose në opinionin publik atëherë mbetet një fabul pallati”, deklaroi Minxhozi.

Ai analizoi më tej zhvillimet kryesore të vitit, duke e akuzuar Presidentin e Republikës për “një lojë totalisht antikushtetuese për të kushtëzuar kabinetin qeveritar, një tentativë për të përzierë pushtetet”.

“Unë do të thosha që është një vit i cili nisi me disa premisa pozitive dhe këtu do të fusja protestën e studentëve që prodhoi vërtetë një energji pozitive, ndryshimi përgjithësisht në ajër, ndryshoi gjysmën e qeverisë me një javë protesta në rrugën e Durrësit dhe pastaj vazhdoi me një fabul e cila u mor nga rruga, e pastër ashtu siç ishte, një dëshirë rinore për një ndryshim në Shqipëri dhe u fut në ato filtrat e politikës dhe që aty pastaj mendoj futemi në një lojë e cila nuk është më ajo që nisi. Kujtoj këtu që Presidenti u angazhua në një lojë totalisht antikushtetuese për të kushtëzuar kabinetin qeveritar, një tentativë për të përzierë pushtetet që për mendimin tim është një shkelje më e rëndë e Kushtetutës se sa ato që sot komisioni i posaçëm i shkarkimit po heton dhe këtu më duket dhe si një lojë politike e maxhorancës që në listën e atyre që thotë për shkarkimin e Metës nuk fut de fakto faktin që ai dogji me koshiencë të gjitha afatet kushtetuese të firmosjes së dekreteve të shkarkimit dhe atyre të emërimit që nuk ka asnjë lloj hapësire se si mund ta bëjë”, deklaroi analisti.

Ndërkaq djegien e mandateve nga opozita dhe largimin nga institucionet e sheh si një kosto për opozitën dhe vendin. Minxhozi thotë se kjo gjë e rëndoi edhe më tepër situatën.

“Nga kjo, vijmë në shkurtin tashmë të famshëm të djegies së mandateve dhe është një gjest i fortë, për mendimin tim i keq kalkuluar i opozitës që e nxori gjysmën e politikës shqiptare në rrugë, jashtë institucioneve dhe që vazhdon për inerci të prodhojë një mospjesëmarrje të qëllimtë dhe me kosto të një pjese të spektrit politik në atë që janë faktikisht detyrat e saj primare, të përfaqësojë popullin që e ka votuar. Kosto për të dhe për vendin. Unë jam i bindur që lënia vetëm e Ramës me atë mërzi të madhe të popullit dhe si të thuash atë gri që ka pllakosur dhe në mandatin e dytë të kësaj maxhorance unë do të thosha që e rëndoi edhe më tepër situatën. Aq më tepër kur ndodhemi në kushtet e një tërmeti, një ngjarjeje dhe këtu vijmë në fundin e vitit, por natyrisht ka edhe ngjarje të tjera siç ishte anulimi nga Meta i zgjedhjeve lokale, zhvillimi i zgjedhjeve të 30 qershorit. Është shumë e rëndësishme kjo ngjarja që po jetojmë”, u shpreh ai.

Për Minxhozin, tërmeti ka ribërë gjithë fabulën politike dhe se do të përcaktojë dhe shumë për vitin e ardhshëm.

“Unë them që vitit 2019 i ka dhënë formë emergjenca e tmerrshme humanitare që ndodhi në fund të vitit. Për mua ka ribërë të gjithë fabulën politike, e ka treguar sa meskine është, e ka treguar sa e vockël është dhe paqja që vunë palët pas 26 nëntorit është një paqe e imponuar jo se donin. Faktikisht unë e kuptoj që të dyja palët e kanë tek buzët, përplasjen, sharje, sulmin etj. Ajo që ka ndodhur është kaq e madhe saqë unë mendoj që është një ngjarje e cila është futur, një ngjarje nga ato që i dikton forca madhore dhe lojërat e vogla që diktojnë partitë dhe lufta për pushtet dhe është një ngjarje që do të përcaktojë shumëçka edhe në vitin 2020”, u shpreh Minxhozi.



Skip to toolbar