VOA raport për mediat: Vështirësi me financimet

AKTUALITET


Sektori i medias në Shqipëri po kalon kohëra të vështira financiare pas rrudhjes së tregut të reklamave vit pas viti. E megjithatë ai vazhdon të mbijetojë. Një studim i IREX nxjerr në pah, se numri i madh i mediave në një treg kaq të vogël nuk lidhet me blerjet e lexuesve apo shikuesve por me interesat momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme. Analistë dhe ekspertë vërejnë, se në sektorin mediatik qarkullojnë mjaft interesa politike dhe para të padeklaruara. Një tjetër shqetësim lidhet me kufizimin e pronësisë në media një nen i ligjit për mediat audiovizive që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas një përpjekje të dështuar të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse për ta realizuar një gjë të tillë në parlament.

Në Shqipëri sektori i medias përfshin afro 1100 subjekte. 65 TV, 72 Radio, 800 media on line, 16 mediaprint, 68 periodike, 3 platforma dixhitale, 124 platforma kabllore. IREX në një studim mbi indeksin e qëndrueshmërisë së medias në botë nënvizon për Shqipërinë, se financimi i medias shqiptare mbetet një mister për shumë vite dhe se është ende e panjohur, se si shumë media veprojnë dhe mbijetojnë në një treg kaq të vogël.

Tregu i reklamave prej 39 milionë euro nënvizohet në këtë studim është më i ulëti në rajon dhe po ulet vazhdimisht. Numri i madh i televizioneve, gazetave dhe portaleve nuk mbijeton nga blerjet e lexuesit apo shikuesit, thuhet në studim, por nga lidhjet e interesave momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme.

Ekspertët dhe analistët vërejnë se mjaft media kanë financime që nuk vijnë nga tregu i reklamave ,që gjithashtu është në ulje për shkak të ngadalësimit të ekonomisë. Ato mbështeten nga kompani të tjera, pra nga biznese mbështetëse brenda së njëjtës pronësi.

“Me rënien e buxheteve të kompaninve reklamuese, ka patur vitet e fundit një stanjacion ose tkurrje të të ardhurave të televizioneve kryesore dhe kjo është reflektuar në uljen e fitimit. Sepse duhet të kemi parasysh dhe një gjë, që televizionet kanë qenë në një konkurencë shumë të madhe mes tyre, dhe janë detyruar të investojnë dhe nga ana tjetër mjedisi reklamues dhe të ardhurat kanë qenë në rënie. Fitimi maksimal është diku tek 2 milion euro në vit, ndërsa fitimi minimal afërsisht 30 mijë euro. Ka dhe televizione që janë me humbje”- thotë Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor”.

“Ajo që është akoma më e çuditshme është fakti, se megjithëse ky fenomen ka ndodhur, tregu i reklamave është tkurrur, numri i mediave on line dhe numri i televizioneve vazhdon të jetë i njëjtë, ose më shumë. Kjo tregon qartë se media është preh e parave të padeklaruara. Këto para në përgjithësi janë para që investohen për interesa politike”- shprehet analisti Enton Abilekaj.

Kryeministri Edi Rama është i vetëdijshëm për këtë situatë, kur pranon faktin e një gjenerimi të tejskajshëm të pasurisë në media, gjatë një konference rajonale për lirinë e medias në nëntor të 2017-ës.

“Sot në media në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme. Nëse flasim për përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje të disproporcionale të të adhurave të personave, kjo thuhet në media se s’ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median” – tha Kryeministri Edi Rama.

Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj në shkurt të vitit 2018 shkoi më tej duke bërë një deklaratë të fortë në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, kur tha se krimi i organizuar financon para dhe influencë edhe në media dhe se për këtë ai kishte indicie.

“Kjo mund të ishte një deklaratë që bëhet nga opozita, që akuzon krimin e organizuar që ka akses në media. Por nëse e bën një ministër i brendshëm këtë deklaratë atëherë do të thotë që Ministria e Brendshme nuk ekziston. Por në momentin, që ky problem ngrihet nga të gjithë dhe nuk e adreson qeveria, atëherë mund të themi se qeveria është më e interesuar së të gjithë që këto para, këto financime të fshehta të mos zbardhen kurrë”- shpjegon analisti Enton Abilekaj.

Një shqetësim i përfaqësuesve ndërkombëtar lidhet me pronësinë në media. Neni 62 i Ligjit për mediat audiovizive i miratuar në kuvend në vitin 2013 kufizonte pronësinë në një transmetues kombëtar dhe nuk lejonte një person fizik apo etnitet të kontrollonte më shumë se 40% të aksioneve. Kjo ishte një masë për të shkëputur politikën editoriale të një media nga interesat e një pronari të vetëm. Vetëm dy vite pas miratimit kryhen tentativa nga përfaqësues të shumicës për ta zhbërë këtë nen.

“Ka patur dy tentativa, njëra prej të cilave e suksesshme. Tentativa e parë ishte e deputetit socialist Taulant Balla për ta shfuqizuar këtë nen në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që u zhbë pas protestave të faktorit ndërkombëtar. Dhe një e dytë ishte nga shoqata e mediave audiovizive që e dërgoi nenin 62 në Gjykatë Kushtetuese e cila gjykoi që ky kufizim është në disporpocion me qëllimin”- shpjegon Gjergj Erebara, gazetar i BIRN.

Edhe OSBE ka shfaqur shqetësim në lidhje me shfuqizimin e këtij neni nga Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar dispozitën ligjore që kufizonte pronësinë në media, por kjo nuk duhet ta pengojë Kuvendin të kërkojë mënyra të tjera për të garantuar pluralizmin në fushën e medias”- u shpreh Ambasadori i OSBE Bernd Bochardt.

Mazhoranca ndodhet sot përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi nenin që kufizon pronësinë në media. Kjo çështje ka marrë vëmendje dhe në progres-raportin e Komisionit Europian.

“Progres raporti i vitit 2016 i lë Shqipërisë tre detyra shtëpie për përmirësimin e gjendjes së medias në vend.1. Harmonizimin e legjislacionit për rritjen e transparencës.2. Kufizimin e të drejtës së pronësisë së medias në bazë të standardeve ndërkombëtare, dhe forcimin e pavarësisë së Radiotelevizionit public shqiptar”- shpjegoi Kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë për lirinë e medias në nëntor të vitit 2017.

Sipas autoriteteteve qeveria po punon për të hartuar një nisëm ligjore në përmbushje dhe të detyrave të lëna nga Komisioni European, por ekspertët vërejnë se mbetet e paqartë se si do mund të kapërcehet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje e shton edhe me tej problemet në fushën e financimit të medias në Shqipëri si dhe të pavarësisë së saj në dëm të lirisë së medias, raportimit dhe informacionit. / VOA



Skip to toolbar