VOA: Arjan Ndoja, figurë kontroverse me shumë dritëhije

Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja ka qenë mbrëmjen e së premtes shënjestër e një atentati. Automjeti me të cilin ai po udhëtonte është qëlluar me breshëri automatiku në një nga rrugët në hyrje të qytetit të Durrësit. Ndoja ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu dhe një tjetër person që ndodhej në automjet Aleksandër Laho, si dhe një person i tretë, Andi Maloku, i cili thuhet të jetë shoferi i Prokurorit.

Maloku, ndodhte në gjendje kritike dhe është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranës, në hyrje të të cilit janë vendosur forca të shumta policie, ndërsa prokurori dhe personi tjetër Laho, ndodhen në spitalin e Durrësit, gjithashtu nën kontrollin e rreptë të forcave të policisë.

Emri i prokurorit Ndoja, u bë i njohur pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula. Një akt që solli një reagim të fortë nga drejtuesit më të lartë të Qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, të cilët në mënyrë të përsëritur e akuzuan atë si një personazh të lidhur me botën e krimit e që vepron për llogari të bandave të Durrësit.

Ndoja rezulton të jetë një figurë kontroverse me shumë dritëhije. Përpara se të emërohej prokuror, ai ka qenë avokat, ku mësohet se ka mbrojtur emra të botës së errët të krimit. Më pas ai është përmendur dhe në episodin e sulmit, disa vite më parë në Durrës, të një avokati të njohur të këtij qyteti.

Nga ana tjetër, personi që udhëtonte me të në makinë Aleksandër Laho, është një personazh problematik, i dyshuar për përfshirje ne aktivitete kriminale, që ka ndryshuar disa herë identitetin, dhe që dyshohet të jetë i përfshirë dhe në rrahjen që ju bë një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit./VOA/

VOA: Venecia, qartësisht kundër Metës

Zëri i Amerikës, i kushton një artikull të gjatë, Raportit Paraprak të Komisionit të Venecias për shkeljet ose jo të Kushtetutës nga Ilir Meta. Media amerikane, në seksionin shqip të saj, citon Ilir Metën në një intervistë të dhënë për Ora News, që pretendon se nuk e ka shkelur Kushtetutën.

“Në një deklaratë për televizionin Ora News, zoti Meta tha se do të ketë një përgjigje zyrtare duke nënvizuar megjithatë se ai ka bërë “zero shkelje të Kushtetutës dhe se i ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer Kushtetutës dhe pluralizimit politik.. të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventes Europaine të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”, shkruan VOA.

Megjithatë, në paragrafin pasardhës, Zëri Amerikës shprehet se Komisioni i Venecias mban qëndrim qartësisht të kundërt me Ilir Metën, lidhur me pretendimet e tij se “nuk e ka shkelur Kushtetutën”. “Por në opinionin e tyre ekspertët e Komisionit të Venecias kanë një mendim qartësisht të kundërt, ndërsa pas një analize të detajuar ligjore, arrijnë në përfundimin se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke i anulluar zgjedhjet lokale, e më pas duke i shtyrë ato”, theksohet në dokument”, shkruan VOA.

Më tej, Zëri Amerikës shprehet se Venecia i ka dhënë përgjigje pretendimit të Presidentit se “mbrojti pluralizmin politik”.  “Në dokument theksohet edhe se “anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut… Mungesa e një baze ligjore dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.

“Ata i kanë dhënë përgjigje dhe pretendimit të Presidentit se mbrojti pluralizimin politik duke anulluar zgjedhje në të cilat nuk merrnin pjesë forcat kryesore të opozitës. Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias “bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të penguar plotësisht çdo zgjedhje”, theksohet në projekt opinion”, citohet nga VOA.

VOA: Ndërhyrjet në sistemin zgjedhor, të pamundura të realizohen në pak javë

Në Shqipëri parlamenti nisi sot pasdite sesionin e tij të ri, në një sallë e cila do të vijojë të ketë 18 vend bosh, pas largimit të opozitës në muajin shkurt, dhe djegien e mandateve të 58 përfaqësuesve të saj. Vetëm 40 prej tyre u zëvendësuan nga emrat që ndodheshin në listat e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja socialiste për integrim, të cilët nuk ju nënshtruan vendimit politik të drejtuesve të tyre.

“Parlamenti përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstitucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Parlamentit”, deklaroi në fjalën e tij hapëse kryetari Gramoz Ruçi duke ju referuar pikërisht situatës së paprecedentë të krijuar në vend.

Emëruesi i përbashkët i diskutimeve të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë në sallë, ishte reforma zgjedhore. Komisioni i Posaçëm ka afat deri në muajin tetor. Shumica, siç e ka bërë të qartë kryeministri Edi Rama synon përmbylljen e saj në javët e ardhshme, në mënyrë që të realizojë rekomandimin e vitit të kaluar të Këshillit europian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky Këshill pritet të thotë fjalën e tij në mesin e muajit të ardhshëm si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut.

Shumica, siç u shpreh dhe kryetari Ruçi por dhe drejtuesi i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i mbetet ftesës për ta realizuar këtë reformë dhe me Partinë Demokratike, duke i lënë asaj sërish përfaqësim në Komision së bashku me të drejtën e vetos. Por megjithatë, miratimin e Reformës, shumica do të duhet ta bëjë me votat e opozitës në sallë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë mëshuar idesë së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Dhe këtë e theksoi me forcë dhe drejtuesja e grupit Demokrat Rudina Hajdari. “Reforma zgjedhore do ti japë fund këtij sistemi që ka mbytur demokracinë e brendshme. Nuk do kemi qeverisje të mirë me një qeveri autokratike. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë kryefjala e ndërhyrjes në reformën zgjedhore. Si opozitë jemi pro ndryshimeve kushtetuese për një sistem të ri që ofron kandidatë të denjë dhe konkurrencë të drejtë”, u shpreh zonja Hajdari, e cila përmendi gjithashtu dhe nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore, dhe garantimin e votës së emigrantëve.

Por ndërsa për këto dy pikat e fundit, mund të gjendet dakordësia me shumicën, ndërhyrjet në sistemin zgjedhor që kërkojnë dhe ndërhyrje kushtetuese, duken të pamundura për t’u realizuar në harkun e pak javëve. Edhe kryetari i grupit Socialist Balla nënvizoi faktin se reforma duhet të mbështetet te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetët do të nisin punën në këtë sesion me një sërë projektligjesh të rrëzuara nga Presidenti Ilir Meta, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Shumica ka paralajmëruar rivotimin e tyre, ndërsa nesër do të rifillojë nga puna dhe Komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të mbërrijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme. Opinioni i këtij institucioni pritet të jetë vendimtar, ndërkohë që procesi në vetvete do të dojë kohë, pasi fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të mund të plotësohet ende më numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të lejonin funksionimin e saj./VOA

VOA: PD po ndjek me kryebashkiakun e Vorës, të njëjtën strategji si me Valdrin Pjetrin

Në Shqipëri Partia Demokratike dha disa detaje të tjera me të cilat ajo shoqëroi akuzat ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës Agim Kajmaku, i cili sipas saj rezulton të ketë qenë i dënuar dhe më pas i dëbuar nga Greqia. PD duket se po ndjek të njëjtën strategji si në rastin e ish kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri duke nxjerrë hap pas hapi të dhëna në mbështetje të akuzave të saj.

Sekretari i Përgjithshëm demokrat Gazmend Bardhi shtroi tre pyetje që përfaqësojnë dhe elementë të rinj në lidhje me zotin Kajmaku, duke kërkuar të dijë se “çfarë përfaqëson data 14 Janar 2003” për kryebashkiakun e Vorës, se pse ai “nuk ka shkuar në Greqi prej vitit 2003 dhe pse menjëherë pas këtij viti ndryshoi gjeneralitetet në Shqipëri?” dhe “çfarë lidhje ka me shtetasin me identitetin e rreme “Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parascevi?”.

Përmes një postimi në Facebook të datës 6 Gusht 2019, zoti Kajmaku ka pranuar se ka ndryshuar emrin në vitin 1996. “Këtë gjë nuk e kam bërë në shkelje të ligjit, por me Vendim të Këshillit të Komunës Prezë, Nr 06/1, Datë 06.02.1996, “Ndryshim emri dhe mbiemri nga Agim Kajmaku në Jorgo Toto”. Përmes këtij ndryshimi, munda që të siguroj një vizë nga Ambasada Greke për vete dhe familjen”. Por Partia Demokratike megjithatë flet për një emër tjetër të përdorur sipas saj nga zoti Kajmaku, jo Jorgo Toto, por Jorgo Toro.

Kryebashkiaku i Vorës, është shprehur gjithashtu se “pavarësisht ndryshimit të emrit për arsye dokumentare, unë Agim Kajmaku gjithmonë kam mbajtur të njëjtin emër të babait, nënës dhe të ditës time të lindjes edhe me emrin Jorgo Toto. Prandaj është shumë kollaj e verifikueshme a kam qenë i dënuar apo jo”. Por sipas PD-së, emri tjetër që ajo thotë se lidhet me zotin Kajmaku, pra Jorgo Toro, ka tjetër amësi dhe atësi.

Pak ditë më parë, PD-ja ju drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme duke kërkuar prej saj nisjen e verifikimeve duke qenë se sipas saj ekzistojnë të dhëna, të bëra publike më parë, se zoti Kajmaku është subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtrojë funksion publik. Si shkresë së PD-së “ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke” dhe se “në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se nga periudha 2004 – 2016 ai nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”, theksohet në letrën e zoti Bardhi.

Pas kërkesës së PD-së, nuk vonoi reagimi i zotit Kajmaku, i cili u shpreh për mediat se “me përgjegjësi ligjore dhe bindje morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar”. Ai shton më tutje se gjithçka sipas tij është një shpifje për qëllime politike, duke paralajmëruar se “autorët dhe akuzuesit publik që shpifin ndaj personit tim do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara. Të paqenën nuk mund ta pretendosh si të ndodhur”, shprehet kryebashkiaku i Vorës.

Mbetet të shihet nëse Partia Demokratike, ashtu si në rastin e ish kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri, zotëron ndonjë dokument zyrtar ku mbështet denoncimin e saj. Edhe zoti Pjetri fillimisht mohoi akuzat e ngritura nga PD-ja, se kishte qenë i dënuar dhe më pas i dëbuar nga Italia. Por pas publikimit të dokumenteve të autoriteteve gjyqësore italiane nga ana e Partisë Demokratike, u detyrua të japë dorëheqjen javën e shkuar./VOA

Meta homazhe te busti Azemit, ‘provokon’ Rudina Hajdarin

Ilir Meta ishte të premten në vizitë për Tropojë ku mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit “Eliot Engel” rrugës Tropojë-Gjakovë. Pas kësaj ceremonie, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në bustin e Azem Hajdarit, Heroit të Demokracisë, vizitë që në fakt e paralajmëroi Rudina Hajdari me një reagim në rrjetet sociale paraditen e së enjtes.

Deputetja e djathtë, i shkruante Metës që “kur të shkosh para bustit të tim eti, thuaji që fëmijët e tu nuk janë këtu sepse kështu urdhëroi partia”. Ndërkohë, pasditen e të premtes, Ilir Meta, ka bërë një postim postim pasditen e të premtes në facebook, ku shfaqet duke kryer homazhe të busti i Azem Hajdarit, njëkohësisht duke i dhënë dhe një përgjigje Rudina Hajdarit.

Në komentin e tij, Ilri Meta, shkruan se “Sa herë vij në Tropojë, nuk mund të mos ndaloj para shtatores së liderit të Lëvizjes Studentore dhe mikut tim të Dhjetorit ’90, Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit në Shqipëri, Azem Hajdari. Ky respekt i sotëm ishte i dyfishtë pasi nderimin e bëmë së bashku me mikun e madh të kombit shqiptar, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan, z.Eliot Engel”, përfundon mesazhi i Metës.

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 5. Juli 2019

VOA raport për mediat: Vështirësi me financimet

Sektori i medias në Shqipëri po kalon kohëra të vështira financiare pas rrudhjes së tregut të reklamave vit pas viti. E megjithatë ai vazhdon të mbijetojë. Një studim i IREX nxjerr në pah, se numri i madh i mediave në një treg kaq të vogël nuk lidhet me blerjet e lexuesve apo shikuesve por me interesat momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme. Analistë dhe ekspertë vërejnë, se në sektorin mediatik qarkullojnë mjaft interesa politike dhe para të padeklaruara. Një tjetër shqetësim lidhet me kufizimin e pronësisë në media një nen i ligjit për mediat audiovizive që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas një përpjekje të dështuar të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse për ta realizuar një gjë të tillë në parlament.

Në Shqipëri sektori i medias përfshin afro 1100 subjekte. 65 TV, 72 Radio, 800 media on line, 16 mediaprint, 68 periodike, 3 platforma dixhitale, 124 platforma kabllore. IREX në një studim mbi indeksin e qëndrueshmërisë së medias në botë nënvizon për Shqipërinë, se financimi i medias shqiptare mbetet një mister për shumë vite dhe se është ende e panjohur, se si shumë media veprojnë dhe mbijetojnë në një treg kaq të vogël.

Tregu i reklamave prej 39 milionë euro nënvizohet në këtë studim është më i ulëti në rajon dhe po ulet vazhdimisht. Numri i madh i televizioneve, gazetave dhe portaleve nuk mbijeton nga blerjet e lexuesit apo shikuesit, thuhet në studim, por nga lidhjet e interesave momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme.

Ekspertët dhe analistët vërejnë se mjaft media kanë financime që nuk vijnë nga tregu i reklamave ,që gjithashtu është në ulje për shkak të ngadalësimit të ekonomisë. Ato mbështeten nga kompani të tjera, pra nga biznese mbështetëse brenda së njëjtës pronësi.

“Me rënien e buxheteve të kompaninve reklamuese, ka patur vitet e fundit një stanjacion ose tkurrje të të ardhurave të televizioneve kryesore dhe kjo është reflektuar në uljen e fitimit. Sepse duhet të kemi parasysh dhe një gjë, që televizionet kanë qenë në një konkurencë shumë të madhe mes tyre, dhe janë detyruar të investojnë dhe nga ana tjetër mjedisi reklamues dhe të ardhurat kanë qenë në rënie. Fitimi maksimal është diku tek 2 milion euro në vit, ndërsa fitimi minimal afërsisht 30 mijë euro. Ka dhe televizione që janë me humbje”- thotë Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor”.

“Ajo që është akoma më e çuditshme është fakti, se megjithëse ky fenomen ka ndodhur, tregu i reklamave është tkurrur, numri i mediave on line dhe numri i televizioneve vazhdon të jetë i njëjtë, ose më shumë. Kjo tregon qartë se media është preh e parave të padeklaruara. Këto para në përgjithësi janë para që investohen për interesa politike”- shprehet analisti Enton Abilekaj.

Kryeministri Edi Rama është i vetëdijshëm për këtë situatë, kur pranon faktin e një gjenerimi të tejskajshëm të pasurisë në media, gjatë një konference rajonale për lirinë e medias në nëntor të 2017-ës.

“Sot në media në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme. Nëse flasim për përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje të disproporcionale të të adhurave të personave, kjo thuhet në media se s’ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median” – tha Kryeministri Edi Rama.

Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj në shkurt të vitit 2018 shkoi më tej duke bërë një deklaratë të fortë në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, kur tha se krimi i organizuar financon para dhe influencë edhe në media dhe se për këtë ai kishte indicie.

“Kjo mund të ishte një deklaratë që bëhet nga opozita, që akuzon krimin e organizuar që ka akses në media. Por nëse e bën një ministër i brendshëm këtë deklaratë atëherë do të thotë që Ministria e Brendshme nuk ekziston. Por në momentin, që ky problem ngrihet nga të gjithë dhe nuk e adreson qeveria, atëherë mund të themi se qeveria është më e interesuar së të gjithë që këto para, këto financime të fshehta të mos zbardhen kurrë”- shpjegon analisti Enton Abilekaj.

Një shqetësim i përfaqësuesve ndërkombëtar lidhet me pronësinë në media. Neni 62 i Ligjit për mediat audiovizive i miratuar në kuvend në vitin 2013 kufizonte pronësinë në një transmetues kombëtar dhe nuk lejonte një person fizik apo etnitet të kontrollonte më shumë se 40% të aksioneve. Kjo ishte një masë për të shkëputur politikën editoriale të një media nga interesat e një pronari të vetëm. Vetëm dy vite pas miratimit kryhen tentativa nga përfaqësues të shumicës për ta zhbërë këtë nen.

“Ka patur dy tentativa, njëra prej të cilave e suksesshme. Tentativa e parë ishte e deputetit socialist Taulant Balla për ta shfuqizuar këtë nen në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që u zhbë pas protestave të faktorit ndërkombëtar. Dhe një e dytë ishte nga shoqata e mediave audiovizive që e dërgoi nenin 62 në Gjykatë Kushtetuese e cila gjykoi që ky kufizim është në disporpocion me qëllimin”- shpjegon Gjergj Erebara, gazetar i BIRN.

Edhe OSBE ka shfaqur shqetësim në lidhje me shfuqizimin e këtij neni nga Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar dispozitën ligjore që kufizonte pronësinë në media, por kjo nuk duhet ta pengojë Kuvendin të kërkojë mënyra të tjera për të garantuar pluralizmin në fushën e medias”- u shpreh Ambasadori i OSBE Bernd Bochardt.

Mazhoranca ndodhet sot përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi nenin që kufizon pronësinë në media. Kjo çështje ka marrë vëmendje dhe në progres-raportin e Komisionit Europian.

“Progres raporti i vitit 2016 i lë Shqipërisë tre detyra shtëpie për përmirësimin e gjendjes së medias në vend.1. Harmonizimin e legjislacionit për rritjen e transparencës.2. Kufizimin e të drejtës së pronësisë së medias në bazë të standardeve ndërkombëtare, dhe forcimin e pavarësisë së Radiotelevizionit public shqiptar”- shpjegoi Kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë për lirinë e medias në nëntor të vitit 2017.

Sipas autoriteteteve qeveria po punon për të hartuar një nisëm ligjore në përmbushje dhe të detyrave të lëna nga Komisioni European, por ekspertët vërejnë se mbetet e paqartë se si do mund të kapërcehet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje e shton edhe me tej problemet në fushën e financimit të medias në Shqipëri si dhe të pavarësisë së saj në dëm të lirisë së medias, raportimit dhe informacionit. / VOA

VOA: Petrit Vasilit i është refuzuar viza në SHBA

Gjatë intervistës me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila ndodhet për një vizitë pune në SHBA, Zëri i Amerikës zbuloi se Petrit Vasilit i është refuzuar viza nga autoritetet amerikane.

Sipas informacioneve të VOA autoritetet diplomatike amerikane i kanë refuzuar vizën zotit Vasili, ndërsa Kryemadhi tha se nuk beson se kjo është e vërtetë, por se “nuk e ve dorën në zjarr për askënd”.

Ky informacion i VOA vjen pas qëndrimeve të ashpra të opozitës shqiptare ndaj institucioneve, të cilat kulmuan më djegien e mandateve parlamentare dhe organizimin e protestave të dhunshme në Tiranë. Refuzimi i vizës së zotit Vasili shihet si një sinjal i qartë i mosaprovimit të linjës opozitare nga ana e Uashingtonit, që ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit.

Gazetarja: Znj. Kryemadhi në Kosovë dhe në vendin tuaj ambasada Amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndëshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptar që i janë refuzuar vizat, është prekur LSI-ja nga kjo?

Kryemadhi: Nuk di të kem ndonjë informacion, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën Amerikane për çdo politikanë të korruptuar dhe për pjesëtarët e LSI-së që është pjesë e kësaj liste dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira, ne e kërkuam dhe Vetting-un në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisione Vetting-ut brenda në parti, mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati.

Gazetarja: Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më me pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim. Ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit në raste të tilla me ambasadën amerikane dhe me LSI-në ne do të jemi të gatshëm, por mos harrojmë vetëm një gjë që z. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri

Skip to toolbar