Militanët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish-deputet dhe drejtues të degës lokale të kësaj force politike në Shkodër, i kanë vënë flakën shkollës “Shejnaze Juka” në këtë qytet, aty ku ndodhej KZAZ me nr.3. Militantët e PD, mesa duket pasi kanë lexuar ultimatumin publik të Voltana Ademit, (dhënia e urdhrit direkt prej saj mbetet për tu verifikuar nga autoritetet ligjzbatuese) që kërkonte mbylljen e shkollave ku ndodhen qendrat e votimit në Shkodër, kanë mësyrë me forcë këtë të martë pasdite në shkollën “Shejnaze Juka”, duke tentuar marrjen e materialeve zgjedhore.
Por, militantët dhe punonjësit e Bashkisë Shkodër të udhëhequr nga ish-deputetët demokratë, janë përplasur me forcat e rendit, të cilat kanë qenë në këtë shkollë për të ruajtur materialet zgjedhore. Sakaq, disa prej militantëve kanë thyer xhamat e dritareve të shkollës dhe kanë hedhur lëndë djegëse, duke tentuar që ti vënë flakën shkollës. Situata është tensionuar deri në përplasje mes militantëve të PD-së dhe forcave të rendit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbrritur punonjësit zjarrëfikës, të cilët kanë shuar zjarrin e ndezur nga militantët e PD-së dhe ish-deputetët e kësaj force politike.
Por, kjo situatë ishte e paralajmëruar nga kryetarja e Bashkisë Shkodër,Voltana Ademi, që mesaduket ka marrë flamurin e “heroinës” për të mbrojtur dekretin e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve. Kryebashkiakja e Shkodrës, pasditen e të martës u dërgoi një kërkesë drejtuesve të shkollave në Shkodër që të mos lejonin të hynte në këto institucione arsimore asnjë person i pa autorizuar nga ajo vetë.
Voltana, ka shkuar dhe më tej. Ajo nuk ka pritur që kërkesa të shkonte në adresat e drejtuesve të shkollave, të cilëve u kërkonte të mos lejonin hapjen e shkollave për persona, që sipas saj, nuk janë të autorizuar nga bashkia. Ishte vetë PD ajo që shpërndau videon e sulmit mbi shkollë, por e cilësoi atë si “pengesë nga policia ndaj autoritetit të bashkisë për të administruar shkollat që i ka në varësi të saj, dhe të zbatoje dekretin e Metës për 30 qershorin”. Se cila është e vërteta, gjykojeni vetë nga pamjet.
Më herët gjatë ditës së martë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se kush do të mundohet të pengojë procesin zgjedhor, do të përballet me forcën e ligjit. “Kryetaret e bashkisë dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi ministri Lleshaj. Por tani pas këtyre ngjarjeve, a do të veprojë policia e Sandër Lleshajt?!