Nuk ndalet kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila mesaduket kërkon të jetë në rreshtin e parë me Bashën, ndoshta dhe një hap para tij për të penguar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Me çdo mënyrë dhe formë, kryebashkiakja e Shkodrës, që duhet të ketë detyrë parësore shërbimin ndaj qytetarëve pa dallime politike, kërkon të bëhet pengesë pë të ndaluar po qytetarët e saj të shprehin vullnetin më 30 qershor, me justifikimin e dekretit të çdekretimit të zgjedhjeve.
Voltana Ademi, ka ndërmarrë një tjetër iniciativë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve. Me anë të një shkrese, që është firmosur nga znj.Ademi, bashkia Shkodër u kërkon shkollave të qytetit dhe të njësive administrative të mos hapin dyert më 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve.
“Në zbatim të ligjit Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Udhëzimi Nr.30 Datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiviteteve në Njësitë e Sektorit Publik, të ligjit nr 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkojmë: Meqensë objektet shkollore janë asete në pronësi të Bashkisë Shkodër dhe administrohen si territore nga Bashkia Shkodër, këto objekte nuk duhet të aksesoren nga persona dhe institucione të pa autorizuar nga Bashkia Shkodër për të hyrë në këto objekte. Nënvizojmë që përgjegjësia juaj është administrimi dhe mirë organizimin i procesit mësior dhe jo administrimi i objektit”, shkruhet në shkresën e firmosur nga Voltana Ademi drejtuar shkollave të qytetit.
Ky është një tjetër veprim që synon të pengojë zhvillimin normal të procesit zgjedhor për zgjedhjet e pushtetit vendor më 30 qershor, Voltana Ademi është një nga kryebashkiaket më aktive të PD-së, që ka ndërmarrë disa hapa për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.