Vranë me thikë të riun dhe e hodhën në kanal, mohojnë krimin

AKTUALITET


Dy të rinjtë e arrestuar për vrasjen e 23-vjeçarit Florian Selimi dhe hedhjes së trupit të pajetë në një kanal në Fier kanë dalë të enjten para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë, ku janë lënë në burg pa afat, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar krimin.

Dy të arrestuarit janë Kiri Merica, 20 vjeç dhe Sadri Selaci 26 vjeç, të cilët janë dërguar në Gjykatën e Fierit rreth orës 11.30 të së enjtes nën masa të forta sigurie. Masa e sigurisë është dhënë nga gjyqtari Ergys Selmani, masë e cila është kërkuar edhe nga Prokurori i çështjes Hysen Ajsllari. Gjyqtari, pasi dëgjoi relatimin e prokurorit dhe mbrojtjen e dy të rinjve, u bazua në provat e paraqitura dhe vendosi burg pa afat për dy të arrestuarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00 të së dielës në fshatin Hamil, në vendin e quajtur “kthesa e Hamilit”, ndërsa trupi i pajetë i të riut u gjet në një kanal mëngjesin e së hënës. Nuk ka ende një shkak konkret për ngjarjen, ndërsa policia u mjaftua me një njoftim ku shprehej se vrasja kishte ndodhur për motive banale. Florian Selimi u gjet i vrarë me thikë mëngjesin e së hënës, ndërsa pranë ishte dhe makina e tij me një gomë të hequr dhe kofano të hapur, çka tregonte se ai kishte pasur një defekt me makinën e tij. I riu kishte telefonuar të atin për ndihmë, por ai kishte mbërritur vonë në vendngjarje dhe pas kërkimeve trupi i 23-vjeçarit u gjet në një kanal.



Skip to toolbar