Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
MESAZHI I PLOTË
Të dashur familjarë të të ndjerit Klodian Rasha,
Më lejoni T’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta, në rrethana tashmë të bëra publike, të djalit dhe të afërmit Tuaj, i vrarë me armë zjarri nga një punonjës i Policisë së Shtetit, ngjarje shumë e rëndë dhe e dënueshme, që na ka tronditur thellësisht të gjithëve.
Të dashur qytetarë,
Policia e Shtetit ka mision të ruajë rendin e sigurinë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktet Ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar.
Kjo është përgjegjësi direkte e funksionarëve të lartë dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, si edhe e Ministrit të Brendshëm, të cilët nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla.
Uniforma e Policisë së Shtetit është përfaqësuese e drejtpërdrejt e autoritetit shtetëror, por dhe e besimit që qytetarët kanë ndaj shtetit.
Për ta fituar dhe për ta mbajtur atë, duhet integritet, meritë, profesionalizëm, paanshmëri, pavarësi, vetëpërmbajtje dhe mbi të gjitha ligjshmëri dhe respektim i të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Këto janë parimet mbi të cilat duhet të ushtrojë detyrën çdo efektiv policie.
Çdo akt tjetër përtej ligjit dhe misionit të saj, i kryer nga Policia e Shtetit dhe efektivët e saj, është i papranueshëm, nuk duhet të tolerohet, por duhet të ndëshkohet.
Ju bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve të tjera shtetërore, t`i përgjigjen menjëherë nevojës së mbarë shoqërisë për drejtësi, përmes një hetimi të shpejtë, të plotë, të pavarur, objektiv dhe transparent për ngjarjen e rëndë të vrasjes së shtetasit Klodian Rasha.
I kërkoj Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve.
Zbardhja e plotë e ngjarjes së rëndë duhet të shërbejë, si një moment kthese dhe reflektimi mbi ligjshmërinë e akteve të Policisë së Shtetit, jo vetëm të një individi, por e të gjithë zinxhirit komandues, që nga mënyra e rekrutimit, trajnimit dhe orientimit të efektivëve të policisë, deri te nxitja e veprimeve apo sjelljeve jashtë kërkesave të ligjit, që më pas çojnë edhe në ngjarje të tilla, të papranueshme për të gjithë shoqërinë tonë.
I kërkoj Avokatit të Popullit të ndjekë nga afër këtë rast dhe të dalë me rekomandime të posaçme për Policinë e Shtetit e që duhet të adresohen menjëherë nga kjo e fundit.
I bëj thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit, e të monitorojë në mënyrë konstante veprimtarinë e saj. KOHA PËR DREJTËSI ËSHTË TANI!