Prokuroria e Fier ka dhënë detaje nga vrasja makabre e 56-vjeçarit Anesti Rama, që dyshohet se u dhunua dhe u mbyt me tel nga vajza e tij Emalinda Rama dhe Çlirim Dogani, me të cilin e reja mësohet se kishte një lidhje intime.
Sipas organit të akuzës, mbrëmjen e 23 Korrikut, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, ka mbërritur një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.
Kur ambulanca ka mbërritur në shtëpinë e viktimës, raportohet se ai qëndronte i shtrirë i pajetë në sallon, veshur me kostum dhe këmishë.
Në momentin kur grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar në trupin e 56-vjeçarit çarje në pjesën ballore, mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.
Vajza e viktimës dhe bashkëshortja e tij, Valbona Rama kanë deklaruar para grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur.
Ato kishin njoftuar fqinjët se 56-vjeçari ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia.
“Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes”, sqaroi organi i akuzës.
Pas veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë: Emalinda Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim,
Valbona Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
Si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit:
Çlirim Dogani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.