Vrasja e Ardian Nikulaj: Një kamerë sigurie zbuloi vrasësin e biznesmenit, portugezi hoqi maskën nga fytyra pas krimit

AKTUALITET


28-vjeçari Portugez Ruben Saraiva i vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj me 19-prill të vitit që lamë pas në Shëngjin, u zbulua përmes një kamera sigurie.

Referuar dosjës hetimore rezulton se i riu portugez gjatë largimit, pas kryerjes së krimit, në një moment nuk është treguar i kujdesshëm dhe ka hequr maskën që mbante në fytyrë.


Ky veprim i tij gjatë kohës që po merrte motorin për t’u larguar është fokusuar nga një kamerë sigurie, duke ndihmuar policinë dhe prokurorinë e Lezhës në zbulimin e autorit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tjerë. Autorësia e krimit është dokumentuar edhe me prova të tjera ligjore nga prokuroria e Lezhës, të cilët ju përcollën autoriteve marokene duke i bindur ata për ekstradimin e shtetasit Ruben Saraiva.

Pas rivlerësimit të masës së sigurisë me 2-janar në Gjykatën e Lezhës e cila e la në burg pa afat, dosja hetimore me provat që e implikojnë në vrasje pritet ti vihet në dispozicion 28-vjeçarit, i cili deri më tani pretendon se nuk ka lidhje me krimin.

Po për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia me dyshimin si porositës i vrasjes. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.




Skip to toolbar