Vrasja e Behar Sofisë, GJKKO nis gjykimin në mungesë për Jemin Sherën

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme ka nisur gjyqin në mungesë për Jemin Sherën, i dyshuar nga SPAK, si një nga organizatorët dhe porositësit e vrasjes së shtetasit Behar Sofia, në 25 shkurt 2021 në Tiranë. Ndaj tij rëndojnë 3 akuza, më e rënda ajo e vrasjes me paramendim si dhe pjesëmarrje në një grup kriminal.

SPAK identifikoi Jemin Sherën, si një nga organizatorët e kësaj ngjarje, nga disa pamje të kamerave të sigurisë, ku ai qëndronte para vrasjes me shtetasin tjetër të konsideruar organizator, Skënder Vathin. Ky i fundit aktualisht duke u gjykuar bashkë me 3 persona të tjerë të arrestuar, të cilët ndihmuan Ernejt Shytin të kryente ekzekutimin në qendër të Tiranës, pranë Piramidës.

Shyti, një i ri i cili pas identifikimit vendosi të flasë për drejtësinë dhe tregoi se si për vrasjen e ndodhur iu premtuan 50 milionë Lekë, por që nuk arriti t’i merrte. Në procesin, i cili po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, Shyti rrëfeu për treshen gjykuese se si kishte nisur plani për ekzekutimin e Sofisë pas kërkesës së bërë nga shtetasi Xhulio Visha, miku i tij.

66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në Shqipëri u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit 2022 teksa ecte me këmbë pranë Piramidës. Ai u ndoq nga Shyti, i cili, i veshur me maskë Covid-19 e qëlloi dy herë me armë zjarri.



Skip to toolbar