Dy vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi, të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, mohojnë akuzat për vrasjen e 43-vjeçarit. Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e krimeve në Policinë e Tiranës, Fredi Rrushi ka mohuar të japë përgjigje për pyetjet, ndërsa është shprehur se nuk është i aftë për të folur. Për këtë arsye ai do të merret në pyetje në një tjetër moment, në prani të avokatit dhe prokurorit të çështjes.
Të njëjtës linjë i ka qëndruar dhe 42-vjeçari Pajtim Rrushi, i cili akuzohet për fshehjen e makinës së të vëllait që mund të shërbente si provë për të mbledhur gjurmët e ADN-së. Ai ka mbajtur qëndrim mohues për asgjësimin e kufomës apo dhe fshehjen e armës së krimit.
Deri në këtë fazë hetimesh, makina dhe pistoleta të cilat nuk janë ende në dispozicion konsiderohen si prova të vlefshme që mund të ndihmojnë zbardhjen e ngjarjes.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, celulari i Ruzhdi Hoxhës, është gjetur nga një taksist, i cili ka deklaruar për policinë se e ka shitur në një servis celularësh. Telefoni është vënë në pune nga punonjësi i servisit dhe më pas hetuesit kanë gjurmuar nëpërmjet qelizave telefonike të gjitha lëvizjet që janë ndjekur.
Për sa i përket dosjes së vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për Fredi Rrushin dhe për vëllain e tij, Pajtim Rrushi, i arrestuar të dielën për ngjarjen e rëndë.
/a.r