Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin I.B për veprat penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave”.
Sipas prokurorisë së Tiranës në përfundim të hetimeve për vrasjen e shtetasit Gentian Bejtja në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, “prokuroria arriti të provojë se i pandehuri I.B. ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit”.
“Sipas prokurorisë ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës”, njoftoi Prokuroria e Tiranës.
“Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, I.B. dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit G.B”, njoftoi prokuroria.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.