Mënyra dhe mekanizmi i përdorur në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko, përforcon edhe një herë dyshimet e një atentati të mirë-organizuar e mafioz, ndërsa prokuroria ka dështuar në ndjekjen e gjurmëve të makinës së përdorur nga autorët, pasi ajo rezulton se ka qenë e vjedhur rreth një vit më parë në Lezhë.
Burime pranë grupit hetimor po kërkonin të identifikonin autorët nëpërmjet makinën së përdorur në ngjarje dhe të gjetur më pas të djegur në fshatin Ferras. Por, ashtu si makina dhe targa e vendosur mbi të, rezultojnë të vjedhura në dy zona të ndryshme.
Burimet bëjnë me dije se mjeti tip Mercedez Benz rezulton të jetë denoncuar i vjedhur një vit më parë në zonën e Lezhës, e ndërsa targa e vendosur në të AA 434 LX rezulton të jetë e vjedhur nga një tjetër makinë dhe e denoncuar në muajin Mars në zonën e Krujës.
Nga ana tjetër, grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së policisë shkencore për ekzaminimin që po i bëhen dy armëve të gjetura në makinën e djegur, nëse janë pikërisht ato të përdorura në vrasjen e 26 vjecarit Malko, apo janë lënë qëllimisht aty për të devijuar hetimet e policisë.
Deri më tani policia nuk ka asnjë person të arrestuar si autorë të vrasjes, e ndërsa mekanizmi i përdorur për ekzekutimin e tij, e bën edhe më të vështirë identifikimin e tyre. Santiago Malko u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e së martës, ndërsa ishte duke lëvizur me mjetin e tij BMW në zonën e Porcelanit. Pista kryesore qe po heton policia është ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe ajo e konflikteve të mëparshme për bastet sportive. Si dhe ajo e çështjes së drogës.