Drejtori i Informacionit në “News 24” Robert Rakipllari, duke folur në emisionin “Real Story” për protestën për vrasjen e të riut Klodian Rasha, deklaroi se ngjarja e rëndë është përtej raportit mes qeverisë dhe familjes Rasha.
Rakipllari theksoi se Rama dëshiron që të largojë përgjegjësitë nga vetja për ngjarjen.
“Vendimi i qeverisë thotë se Klodiani humbi jetën aksidentalisht si pasojë e veprimeve policore. Kështu është e shkruar në dokument. Kjo është largim nga vetja i përgjegjshmërisë, gjetja e një mënyre për të dalë nga situata, në këtë rast pagesa ndaj babait të të ndjerit dhe për ta mbyllur historinë.
Vrasja e Klodianit nuk është raport mes familjes së tij dhe shtetit, është diçka përtej kësaj sipas meje. Jam dakord që në protestë ka flukse të ndryshme, edhe opozitare, por sa duket zgjidhja qenka që mund ta zgjidhësh çështjen duke dhënë 7-8 fish pension social. Kjo gjë nuk ka ndodhur, por po ndodh”, tha Rakipllari.
Robert Rakipllari theksoi se qeveria dëshiron ta zgjidhë këtë çështje me para.
“I qëndroj idesë se kjo punë kanë thënë nga qeveria se kjo punë më lekë zgjidhet. Kanë shkuar, kanë parë se është një familje e varfër dhe kjo gjë kanë thënë zgjidhet me lekë, siç zgjidhet me lekë çdo gjë këtu. Unë mendoj se edhe letra dje ka lidhje me vendimin sot. Mendoj se familjes i është premtuar kjo përkrahje. Shteti do që të zgjidhë çështjen në një raport të ngushtë me familjen Rasha e mendoj se kjo nuk është zgjidhja. Nuk zgjidhet kështu, sepse kemi adoleshentë që protestojnë dhe pyetja është se këta si do të qetësohen”, u shpreh Rakipllari.
Më tej, Rakipllari tha se shteti përdori dhunën që protestuesit të shpërndahen.
“Mendoj se u qetësuan protestuesit, sepse shteti përdori dhunën, përdori forcën. U arrestuan shumica e protestuesve. Ata që ishin në dhunshëm, u arrestuan dhe të tjerët u kthyen. Në vend që shteti të ketë logjikën e të dëgjuarit të protestuesve, pra pse e bëjnë këtë gjë. Ne të gjithë jemi kundër dhunës, por ajo gjë ndodh dhe në momentin që ndodh, duhet adresuar se përse ndodh”, vlerësoi Rakipllari.
Po ashtu, Rakipllari deklaroi se Rama dhe qeveria e tij sillen në mënyrë arbitrare e se nuk ndalon për asgjë që do të bëjë.
“Këtu kemi opozitën, kemi maxhorancën, kemi protestuesit dhe ambasadorët. Të gjitha palët qëndrojnë në llogoret e tyre. Ambasadorët thonë “jo dhunë”, por nuk japin garanci për çfarë ndodh. Nuk japin garanci, sepse 5 qershorit nuk i qëndrojnë, Kushtetuta ndryshohet në mënyrë të njëanshme dhe ata nuk i dalin zot. Ndodhin disa veprime dhe ambasadorët nuk janë garantë. Për këtë arsye frustrohet shoqëria. Frustrimi ndodh, sepse maxhoranca është arbitrare.
Rama dhe qeveria e tij janë arbitrare, nuk ndalon për asgjë që do të bëjë. Do të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, e ndryshon, bën çdo arbitraritet që do ta bëjë. Opozita është e dobët, e kompleksuar dhe pret 25 prillin me idenë se njerëzit do votojnë kundër Ramës, protestuesit janë pjesa që nuk janë të frustruar. Opozita është e frustruar dhe nuk merr përsipër këto protesta. Me këtë situatë, po shkojmë drejt zgjedhjeve”, përmbylli Rakipllari.