Kastriot Reçi, 47 vjeç, pronar i televizionit lokal “Media Plus” në Lezhë është ekzekutuar të martën në Rrëshen. Biznesmeni është vrarë pranë lokalit të tij, ndërkohë që emri i tij për policinë është skeduar shumë vite më parë, pavarësisht se menjëherë pas krimit, policia tha se ekzekutimi i tij është bërë në rrethana të paqarta. Ai është dyshuar prej disa vitesh, si për trafik droge, ashtu edhe për vrasje, krime nga të cilat dyshohet se ka ardhur edhe vrasja e sotme në qytetin e Rrëshenit.
Sipas të dhënave nga policia, Kastriot Reçi ka qenë i skeduar vite më parë për trafik droge jashtë vendi, ndërkohë që në vitin 2016, ai u shpall në kërkim nga policia e Lezhës pas zbulimit të 3 tonëve kanabis në një magazinë në Mirditë që ishte në pronësi të tij. Katër vite më parë, Policia në kuadër të operacionit “Befasia” zbuloi në Mirditë një magazinë droge dhe arrestoi 22 persona. Sipas policisë, pronari i kësaj magazine ku u gjetën 3 ton drogë ishte biznesmeni i njohur i zonës, Kastriot Reçi, banues në Rrëshen, Mirditë. Por, një ditë pas shpalljes në kërkim, vëllai i tij paraqiti në prokurori një kontratë qiraje, ku rezultonte se magazina i ishte lëshuar një shtetasi nga Lazarati. Emri i tij u rikthye në media një vit më vonë, kur në Itali u ekzekutua vëllai i tij, Gaspër Reçi, duke e lidhur këtë krim me dy vrasje të tjera.
Gjithçka mendohet se lidhet me drogën dhe hakmarrjen, por këto kanë mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve të policisë, pasi deri më sot nuk është vërtetuar asnjë akuzë, si për Reçin, ashtu edhe për personat e tjerë të përfshirë në një varg vrasjesh, 4 me ekzekutimin e sotëm të Reçit.
Konkretisht, më 9 shtator 2016 pak kohë pas zbulimit të magazinës me drogë, në Rrëshen u vra Sajmir Jaku, drejtor i OSHEE. Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE Saimir Jakun, ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Policia nuk zbuloi asnjë autor.
Ndërkohë, më 28 prill 2017, një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Ai rezultoi se ishte Gasper Reçi, 43 vjeç nga Rrësheni, vëllai i Kastriot Reçit, i cili u vra në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reçi kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipashetimeve, Gasper Reçi dyshohet se u ekzekutua për vrasjen e ndodhur në Mirditë, por asnjëherë nuk u dhanë detaje të mëtejshme, ndërsa vrasja e tij u pasua me një tjetër ekzekutim.
Më 6 Shtator 2017, në Belgjikë u vra Kreshnik Gjini. 31-vjeçari u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.
Kreshnik Gjini punonte kamerier në një lokal në Saint-Denis. Bashkë me kolegen shkuan drejt parkingut, ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej tyre nuk është ndaluar apo arrestuar njeri. /Realstory.al/