Vrasja e Sulejmanit e pasojat në Ballkan

OPINION


Nga Edvin Kulluri

Një nga tiparet themelore të politikës së jashtme konservatore është Vetëpërmbajtja! Ose e thënë ndryshe realizmi. Të arrish rezultate pa pasur “ëndrra ideologjike” të tipit “përhapja e demokracisë liberale nëpër botë kudo, me çdo kusht” siç i vunë qëllim vetes George Bush(i riu) e më pas Obama! Dhe në fakt rezultoi se ndërhyrja masive ushtarake me trupa në Irak dhe “pranvera arabe” jo vetëm që nuk eksportuan modelin e demokracive liberale por prodhuan më shumë pështjellim dhe kaos në Lindjen e Mesme dhe “vendet e Magrebit”! Jo vetëm kaq, por fatura financiare ka qenë shumë e lartë për SHBA, pa pasur ndonjë rezultat të dëshiruar. Siç e pranoi dhe Fukuyama pas botimit të “Fundi i Historisë”, Afganistani nuk mund të instalonte një demokraci perëndimore për shkak të kulturës dhe gjendjes së shoqërisë tribale! Që do të thotë se ëndrra për “një demokraci liberale” dështoi me sukses. Dhe kjo mungesë realizmi i “neo liberalizmit” çoi dhe në ndarjen e Ukrainës dhe dështimin në Gjeorgji. Qeveritë e drejtuara nga liberalët përfshi dhe ato evropiane provokuan Rusinë e cila të paktën është një fuqi rajonale, duke e nxjerrë nga kufijtë e saj në dy vendet që ajo i konsideron në “sferën e saj të influencës”! Rezultati dihet! Dhe ndërkohë u la hapësirë bosh në rajone me rëndësi të madhe si Ballkani për SHBA dhe BE, ku ndërhyrja Ruse e Kineze përmes investimeve të hapura apo të kamifluara, dezinformacionit dhe korruptimit të elitave tashmë është fakt. Nuk ka aleat më të madh për fuqitë joperëndimore sesa elitat e korruptuar që prodhojnë qeverisje oligarkike.

Tashmë që administrata Trump po ndërhyn në mënyrë racionale dhe proporcionale në Lindjen e Mesme, liberalët prapë janë kundër pa folur asnjë fjalë për kaosin që prodhuan. Dhe “lëmshin” duhet ta zgjidhin ata që drejtojnë, pra administrata aktuale! Goditja e Al Bagdatit dhe e Soulejmanit kanë qenë ndërhyrje inteligjente për të “futur në cep” ISIS dhe Iranin! Garantimi i sigurisë për vendet e Golfit dhe Balkanin është shqetësimi i vetëm i administratës Trump! Se ç’do ndodhë askush nuk e di, por rezultatet me kosto të ulet quhen “efeciencë”! Për më tepër që investimi për një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia janë të qarta. Presioni i Washingtonit ndaj drejtuesve të Serbisë dhe Kosovës është i dukshëm. Ndaj nuk është rastësi as marrja në përdorim e bazës ajrore të Kuçoves nga NATO e as mundësia për instalimin e mundshëm në Pashaliman. Mbështetja tek vendet mike tradicionalisht të hapësirës shqiptare ish vendet komuniste në kufi me Rusinë si vendet e Balltikut apo Polonia janë shenjë e qartë e një politike të re të jashtme! Mbështetja tek “vendet kushinetë”, të cilat mund të frenojnë përparimin e kërcënimit lindor! Fitorja e Trump në zgjedhjet e ardhshme do ishte një lajm i shkëlqyer për sigurinë në Europë, Ballkan e Lindjen e Mesme. Dhe duket se fitorja është e sigurt duke parë dështimin e demokratëve me impeachmentin, ekonominë në rritje në SHBA dhe një politikë të jashtme me rezultate të pritshme konkrete dhe mbi të gjitha me një çmim minimal jetësh dhe burimesh financiare amerikane.



Skip to toolbar