Vrau fqinjin në Durrës, dëshmia e Ilir Koçiljas: U zumë për makinën, e linte te hyrja e pallatit

AKTUALITET


Zbardhet dëshmia para oficerëve të policisë e 35-vjeçarit Ilir Koçilja që vrau me thikë fqinjin e tij në Durrës të mërkurën, Halil Koka.

Sipas tij, sherri mes dy banorëve ka nisur për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.

Konflikti e kishte zanafillën disa ditë para vrasjes, që sipas 35-vjeçarit Koçilja, ky i fundit i kërkonte të mos e parkonte makinën aty.

Koçilja tregoi se i kishte gërvishtur mjetin Halil Kokës pasi ky i fundit vazhdonte ta parkonte para pallatit. E sipas tij, ditën e ngjarjes, Halil Koka e kërcënoi.

“Me Halili Kokën ishim fqinj. Kemi qenë shokë, por kohët e fundit nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta. Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gervishtur makinën time. Po i thashë unë ta gërvishta. Mos e lër më aty i thashë. Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagjia në rrugë kryesore, iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futësh në bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë”, ka thënë Ilir Koçilja në dëshminë e tij para policisë.

Ilir Koçilja dhe Halil Koka patën jë konflikt që në ambientet e pallatit në lagjen nr.4 të Durrësit dhe më pas teksa Koka ka tentuar të largohet është rrëzuar në trotuar dhe autori e ka goditur me thikë, duke u larguar.

46-vjeçari Halili Koka u godit me thikë në zemër dhe humbi jetën gjatë dërgimit për në spitalin e qytetit. Autori u kap nga policia pas disa orësh.



Skip to toolbar