Vrau gabimisht 15 vjeçarin në Lezhë, arrestohet në Francë polici në kërkim

AKTUALITET


Skënder Seferi, ish-polici i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga gjykata për vrasjen e një 15-vjeçari, në korrik të vitit 2010 në qytetin e Lezhës, është vënë në pranga në Francë.

Seferi është prangosur nga policia franceze, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ish oficeri i policisë është dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Lezhës me 11 dhjetor të vitit 2015-të me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Në vendin e quajtur “Ura e Cenit” në Lezhë gjatë një operacioni, polici në fjalë, qëlloi me armë në drejtim të një automjeti, ku për pasojë mbeti i vdekur Armando Skandaj i cili po udhëtonte së bashku me vëllanë e tij dhe një person tjetër.

Nga ekspertiza e kryer rezultoi se plumbi që i mori jetën të riut ka dalë nga arma e Skender Seferit i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të antiterrorit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë.

Seferi është arrestuar disa muaj më herët nga policia franceze dhe po bëhen gati procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.



Skip to toolbar