Vritet në Rrëshen Kastriot Reçi, pronari i televizionit lokal. Para tre vitesh i vranë vëllanë

AKTUALITET


Vritet me armë zjarri pronari i televizionit lokal në qytetin e Lezhës “Media plus”. I vdekur ka mbetur Kastriot Reçi, 47 vjeç, i cili është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona nga një makinë në lëvizje, pranë ambienteve të lokalit të tij në Rrëshen.

Ende nuk dihen detajet e ngjarjes ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje dhe grupi i punës po heton për zbardhjen e vrasjes dhe për kapjen e autorëve.

Tre vite më parë Kastriot Reçit iu vra i vëllai në Itali. Gasper Reçi u vra në Romë të Italisë, dyshohet për prishje të pazareve të drogës.

Vetë Kastrioti ka shkruar në atë kohë në profilin e tij në Facebook, se të vëllanë ia vranë pas shpine, por pa përmendur ndonjë shkak për këtë ngjarje.

“Vëllai ynë Gasper kishte 20 vite që jetonte në Romë bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Gasper Reçi ishte pagëzuar dhe martuar në kishën Katolike Romane. Bashkë me gruan dhe dy femijët e tij shkonin çdo të diel dhe luteshin.

Ai besonte dhe mendonte se Jetën ta dhuron Zoti dhe vetëm Zoti ka të drejtë ta marrë atë… Gasper Reçi u qëllua pas shpine rrugës teksa po kthehej në shtëpi ku po e prisnin bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij”, shkruante Kastrioti në një postim në facebook në maj të 2017.

Kastriot dhe Gasper Reçi


Skip to toolbar