Pavarësisht se është vend anëtar i BE-së, Greqia vijon të mos e njohë shtetin e pavarur të Kosovës dhe në këtë pikë nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi.
Kryeministri grek, Qirjako Micotaqis, i deklaroi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç gjatë një takimi të zhvilluar në Nju Jork ku ndodhen për të marrë pjesë në asamblenë e OKB-së, se qeveria e tij nuk ndryshon qëndrim lidhur me sovranitetin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiç e vlerësoi këtë si hap thelbësor për Beogradin dhe e informoi homologun e tij për taksën prej 100% që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave serbe duke e cilësuar atë të gabuar dhe që dëmton normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Ideja u përforcua edhe nga Micotaqis, i cili shprehu përkrahje për tryezat e përbashkëta dhe heqjen dorë nga pozicionet e njëanshme.
Të martën, çështja e Kosovës pritet të jetë sërish në fokusin e një takimi të thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkël me presidentin Vuçiç.
Dialogu Kosovë-Serbi dominoi të dielën edhe një darkë pune mes shtetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe kryediplomates europiane, Federika Mogerini, ku palët theksuan edhe një herë nevojën për marrëveshje dypalëshe.
Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende Kosovën. Rumania, Spanja, Qipro dhe Sllovakia janë katër shtetet e tjera që mbajnë të njejtin qëndrim.