Opozita thyen (më në fund) bojkotin: për reformën zgjedhore

AKTUALITET


“Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me Reformën Zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë”, u shpreh më 18 shtator Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i SHBA në Ballkanin Perëndimor. Pak ditë pas kësaj deklarate, opozita është tërhequr përfundimisht dhe pranon të ulet për të diskutuar për Reformën Zgjedhore.

Të martën në mesditë, Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje me aleatët në selinë Blu, ku në përfundim, kanë vendosur të marrin pjesë në tryezën që OSBE do të organizojë të mërkurën për Reformën Zgjedhore. Pas përfundimit të mbledhjes me aleatët, Monika Kryemadhi deklaroi për mediat se “opozita ka vendosur të përfaqësohet me ekspertë në tryezën e organizuar nga OSBE”, ndërsa shtoi se problemi për zgjidhjen e krizës nuk është opozita.


“Kemi vendosur që të përfaqësohemi me ekspertë, dhe do të mbajmë qëndrimin tonë në këtë tryezë. Sa i përket krizës, problemi ka qenë kryeministri për zgjidhjen e saj, opozita ka qenë për institucionalizimin e dialogut, kemi qenë të gatshëm edhe për të dhënë votat për reformën në drejtësi. Ju kujtoj reformën në drejtësi, amendamentet që kemi dorëzuar ne në Kuvende për SPAK dhe Byronë e Hetimit”, tha Kryemadhi.

Pasi ka konfirmuar vendimin për të marrë pjesë në tryezën për Reformën Zgjedhore, ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt ka shkuar në zyrën e Bashës. Takimi është zhvilluar një ditë para mbajtjes së tyrezës për Reformën Zgjedhore, ku PD thyen “bojkotin” dhe vendos të marrë pjesë. Opozita do të përfaqësohet në këtë tryezë me 3 ekspertë. Paraprakisht mësohet se opozita do të përfaqësohet në tryezë me Ivi Kason nga PD, Arjan Madhi nga PR dhe Muharrem Caka nga LSI.




Skip to toolbar