“Wisdom” shpërfill shtetin/ Ministria e Arsimit: Kemi nisur procedurat e mbylljes. Kolegji: Vazhdojmë punën

AKTUALITET


Kolegji universitar Wisdom në Tiranë njofton se do të vazhdojë të funksionojë normalisht si institucion i arsimit të lartë edhe pse të martën ministria e Arsimit shpërndau një njoftim për mediat, ku thotë se ka nisur procedurat ligjore për mbylljen e veprimtarisë akademike të këtij kolegji, pas gjetjeve të një kontrolli të ushtruar për aktivitetin e tij në periudhën 2023-2024.

“Kolegji Universitar Wisdom vijon normalisht veprimtarinë akademike dhe i siguron të gjithë studentët e regjistruar në ku “Wisdom” se do ta ndjekin pa asnjë pengesë vitin akademik. Stafi akademik është plotësisht i përgatitur për një fillim cilësor të këtij viti akademik. “

Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj ABC News që pyeti nëse Kolegji Wisdom ishte njoftuar apo jo zyrtarisht për nisjen e procedurave të mbylljes. Por në njoftimin e saj të shpërndarë të martën thuhet se për vitin e ri akademik 2024-2025 ministria e Arsimit nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar.

Vendimi për mbylljen e institucionit të arsimit të lartë sipas ministrisë së Arsimit është marrë që në muajin korrik pasi gjatë verifikimeve të kryera ka konstatur shkelje ligjore ne ushtrimin e veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit.

Masën e marrë ministria e bëri publike pas arrestimit të pronarit dhe administratorit të “Wisdom” në Itali me dyshimin se janë përfshirë në një skandal të shitjes se certifikatave dhe diplomave false për shtetas italianë. Por Kolegji Universitar hedh poshtë këtë akuzë.

“Që nga viti 2008, kur ka nisur veprimtarinë në fushën e arsimit, nuk ka shitur dhe nuk do të shesë kurrë diploma, as nuk ka prodhuar dokumente të falsifikuara. “

Sipas prokurorisë italiane, ky institucion i arsimit të lartë në vendin tonë i lëshonte këto dokumente në këmbim të 8 mijë eurove për shtetas italianë që synonin të futeshin në administratë.

Sipas mediave italiane, që kanë cituar dosjen hetimore nga skandali i shitjes së diplomave, janë mashtruar rreth 300 persona ndërsa të ardhurat e përfituara aktiviteti i paligjshëm llogariten 10 milionë euro./abcnews.al



Skip to toolbar