Tërmeti, Xhaçka në Bubq: Nisim së shpejti rindërtimin

AKTUALITET


Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë në fshatin Bubq të Krujës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti. Gjatë takimit me banorët, Xhaçka u shpreh se së shpejti do të nisë dhe rindërtimi i banesave për familjet e prekura nga tërmeti. Ajo tha se prioritet do të jenë familjet me fëmijë të vegjël.

“Shumë shpejt do të nisë edhe faza më e rëndësishme, ajo e rindërtimit, në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Do bëjmë çmos që, prioritet të kenë familjet me fëmijë të vegjël e që nuk mund të jetojnë në këto kushte. Kuptoj të gjitha vështirësitë dhe ne po punojmë në garë me kohën që rindërtimi i shtëpive të nisë sa më shpejt”, tha ministrja Xhaçka gjatë bashkëbisedimit me banorët e Bubqit dhe Mazhës së Madhe.

Sipas të dhënave paraprake, të cilat përditësohen çdo ditë gjatë verifikimit të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj në terren, deri më sot në qarqet e prekura janë inspektuar rreth 15 mijë objekte, nga të cilat 2 300 banesa të dëmtuara rëndë, ndërsa 292 pallate deri më tani janë të pabanueshme përkohësisht.

Pas mbylljes së fazës së dytë, verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar si dhe ndërtimin e lagjeve të reja dhe banesave ekologjike (në zonat rurale) në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti.

Gjatë vizitës në Bubq dhe Mazhë e Madhe, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shoqërua nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Edit Durham”, të cilët kishin përgatitur pako me dhurata për 120 fëmijë të këtyre zonave.



Skip to toolbar