Finalja e Europa Lige do të ketë brenda edhe pak Shqipëri.
Njëri mes Granit Xhakës dhe Berat Gjimshitit do të ngrejë trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin për klube në kontinentin e vjetër më 22 maj në Dublin.
Bajer Leverkusen dhe Atalanta shpërblyen parashikimet dhe tani janë vetëm një ndeshje larg triumfit historik.
Kampionët gjermanë kaluan Romën, pas një sfide plot emocione. Pas fitores 2-0 në “Olimpiko”, skuadra e Alonso rrezikoi shumë në fushën e saj.
Italianët iu afruan përmbysjes së madhe, falë dy 11-metërshave të kthyer në gola nga Paredes.
Por, Leverkusen bëri atë, që ka bërë shpesh herë në këtë sezon.
Autogoli i Mancini dhe rrjeta e Stanisiç në shtesë vulosën kualifikimin e “Aspirinave”, që hyjnë në histori me 49 ndeshje radhazi pa humbje në këtë sezon.
Po ashtu, Alonso dhe të besuarit e tij mund të arrijnë diçka që pak skuadra e kanë realizuar në të shkuarën. Të fitojnë tre trofe. Pas Bundesligës, Bajer Leverkusen ka në dorë Ligën e Europës dhe Kupën e Gjermanisë.
Një finale historike do të luajë Atalanta, që për herë të parë në historinë e saj është kaq pranë një trofeu europian.
Berat Gjimshiti dhe shokët e tij triumfuan 3-0 ndaj Olimpik Marsejë.
Lukman në pjesën e parë dhe Ruxheri e Ture kualifikuan skuadrën italiane në finalen e Europa Ligë. Edhe një herë, kapiteni I kombëtares së Shqipërisë ishte një nga lojtarët më të mirë dhe më të vlerësuar për Atalantën.