Mziu “braktis” zyrën, por jo Bashën: Andej iki, nga PD jo

AKTUALITET


Ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka vendosur të mos e mbajë zyrën e tij peng, ndryshe nga urdhri i dhënë nga kryedemokrati Basha, i cili u ka bërë thirrje kryebashkiakëve të djathtë të qëndrojnë në zyrë, pavarësisht zgjedhjeve të 30 qershorit.

Deri dje Mziu bashkë me Voltanën e Shkodrës ishin të vendosur për të qëndruar në zyrë dhe për të mos ia liruar atë kryebashkiakëve socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ku PD nuk mori pjesë.

Por Mziu megjithëse thotë se mbështet dekretin e Metës dhe nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, thekson se mandati i tij nuk është për të krijuat luftë.

“Kemi një dekret dhe zgjedhjet janë në datën 13 tetor. Deri në këto momente, ne flasim në zbatim të dekretit të Presidentit. Gjykata Kushtetuese është ajo që do të vendosë. Mandati im dhe i kolegëve të mi nuk është për të krijuar luftë, për të krijuar vrasje. Në finale ne nuk jemi ata që do ta mbajmë zyrën peng”, u shpreh Xhelal Mziu.

I pyetur për marrëdhëniet me kreun e PD-së, Bashën, Mziu tha se këto marrëdhënie janë më shumë se politike dhe se ai nuk do ta braktiste kurrë PD.

“Është si ajo pjesa e mediave pranë qeverisë. Po ju them që lidhjet e mija me PD janë që në nëntor 1990. Marrëdhëniet e mija me Lulzim Bashën janë më shumë se politike. Ishte një mënyrë e partisë- shtet sot për të shantazhuar disa nga eksponetët e PD, midis tyre isha dhe unë dhe filluan thashethemet që unë doja të dilja te LSI. Jo vetëm që nuk kam dashur, por në asnjë lloj rrethane unë nuk i ndryshoj bindjet për t’u larguar nga PD. Nuk e ndryshoj partinë për asnjë lloj interesi personal”, shtoi Xhelal Mziu.

Ditët e fundit Basha ka ndërmarrë një tur takimesh në degët e PD-së në rrethe ku u ka dalë në krahë kryebashkiakëve të djathtë të cilët nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit duke mbetur pa asnjë pushtet. Ky tur takimesh i Bashës është parë si një përpjekje e tij për të mbajtur afër kryebashkiakët e djathtë të cilët i nxorri në rrugë dhe për të zbutur zërat kritikë kundër tij në PD. Ndërsa të martën pas takimit që zhvilloi me presidentin Meta, Basha për herë të parë doli në mbështetje të dekretit për të zhvilluar 3 procese zgjedhore në 13 tetor. Një tjetër taktikë e tij për të mbajtur me shpresa të vetët se së shpejti do të jenë pjesë e pushtetit. Por dekreti i 13 tetorit është nul, njëlloj si ai për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe s’ka gjasa të ketë zgjedhje në këtë datë.



Skip to toolbar