Nga Eduard Zaloshnja
Në një nga takimet e tija mëngjesore elektorale, Edi Rama, pasi piu kafenë, pa filxhanin. “Shoh dy vija paralele, që bashkohen në fund,” tha ai. Dhe pastaj me nënqeshje shtoi: “Por shoh edhe një ‘I’ të madhe që mbetet prapa”.
E transmetuar drejtpërdrejt nga shumë televizione, kjo mizanskenë e kryeministrit duhet ta ketë pasur domethënien e vet. Dy vijat paralele që bashkohen, me I-në që mbetet pas, na kujton thashethemin mbi koalicionin e madh (Große Koalition) që do të krijohej në 2017-ën mes PS-së dhe PD-së, i cili do të linte jashtë tavës LSI-në e Ilir Metës…
Meqë votimi në 30 qershor nuk e ka vlerën e një gare, mbetet që gara e vërtetë të zhvillohet në të ardhmen mes PS-së e PD-së, por pasi Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese të kenë shkarkuar I-në. Ndërkohë, para tetorit (kur do të vendoset për hapjen e negociatave të integrimit me BE-në), dy vijat paralele mund të takohen, për të krijuar një Große Koalition deri në zgjedhjet parlamentare të radhës.