Zaloshnja: Një sistem i ri zgjedhor me 100 deputetë

#NËRADAR


Nga Eduard Zaloshnja

David Kostelancik, drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Qendrore dhe Jugore, deklaroi në Tiranë se reforma zgjedhore duhet të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Deri më sot ka patur shumë zëra që kanë kërkuar që reforma zgjedhore, të përfshijë jo vetëm procedurat zgjedhore, por edhe vetë sistemin zgjedhor.

Kritika kryesore që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është ajo që lidhet me të drejtën që kanë de facto kryetarët e partive për të renditur kandidatët e tyre në listat e qarqeve. Kjo e drejtë i ka kthyer ata, thonë kritikët, në pashallarë të partive, që në orën 12 të natës çojnë në KQZ listat e kandidatëve, si t’u teket atyre.

Një kritikë tjetër që i bëhet sistemit aktual zgjedhor është pabarazia që krijon mes partive të vogla që futen në koalicion me të mëdhatë dhe atyre që garojnë më vete. Të parave u duhen gjysma e votave për të nxjerrë një deputet, krahasuar me të dytat.

Që të adresohen këto dy probleme, mund të përdoret një sistem zgjerdhor rajonal me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore, i ngjashëm me atë të Greqisë.

Kështu, Shqipëria mund të ndahet në 20 zona zgjedhore me nga 5 deputetë (gjithsej 100 deputetë në Kuvend), ku numri i zgjedhësve të jetë pothuaj i barabartë për çdo zonë. Në çdo zonë votimi kryhet me dy fleta; në të parën votuesi zgjedh partinë që preferon dhe në të dytën kandidatin e saj që pëlqen më shumë ta përfaqësojë partinë në Kuvend (nga 5 gjithsej). Në këtë mënyrë partinë në zonë do ta përfaqësojnë kandidatët që pëlqen më shumë zona dhe jo ata që pëlqen kryetari.

Lind pyetja, po 5 kandidatët e partisë për çdo zonë si mund të përzgjidhen? Me garë primare brenda partisë.

Pyetja tjetër, përse të mos ruhen zonat zgjedhore me bazë qarkun, siç janë sot? Në qarqe të mëdha si Tirana, Fieri, Elbasani e Durrësi, lista e kandidatëve do të ishte shumë e gjatë, gjë që mund të sjellë konfuzion tek votuesit. Me 5 kandidatë për çdo zonë, votimi bëhet më i thjeshtë.

Pyetja tjetër, përse të mos ketë 100 zona me nga një kandidat për çdo parti (sistem mazhoritar)? Përvoja e zgjedhjeve të viteve 2001 dhe 2005 tregoi se përplasjet mes kandidatëve “të fortë” ishte shumë e fortë në disa zona. Gjë që e tensiononte aq shumë situatë zgjedhore, sa që kërciste edhe pushka në disa raste, duke vënë në rrezik gjithë zgjedhjet).

Dhe pyetja më e rëndësishme, a u intereson partive aktuale ky sistem zgjedhor? Ndoshta jo, por Shqipërisë i intereson…



Skip to toolbar