Nga Eduard Zaloshnja
Elisa Spiropali, zëdhënësja de facto e Edi Ramës, deklaroi se Kuvendi do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Ndërsa Rama deklaroi në një tubim elektoral, se priten edhe vendime më ekstreme të Metës, pas atij për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit (në portalet dhe kafenetë e Shqipërisë qarkullon parashikimi se një vendim ekstrem i tij do të jetë shpërndarja e Kuvendit).
Por sa gjasa kanë realisht këta skenarë?
Le të fillojmë me të parin. Kuvendi mund të votojë me 2/3 për shkarkimin e Metës, por që ai ta lërë zyrën aktuale, do duhet një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese. Por kjo e fundit ka vetëm një anëtar aktualisht. Dhe Zoti e di se sa kohë do të duhet që ajo të plotësohet me 8 anëtarë të tjerë. Me pak fjalë, votimi në Kuvend për shkarkimin e Metës do të ketë vetëm vlerë propagandistike, deri kur të krijohet kuorumi i nevojshëm në Gjykatën Kushtetuese…
Skenari i dytë është disi më i komplikuar. Le të supozojmë për një çast se Meta dekreton shpërndarjen e Kuvendit dhe ky i fundit pranon të shpërndahet. Deri në krijimin e një qeverie tjetër, të dalaë nga zgjedhjet e parakohëshme, Rama dhe ministrat e tij mbeten në detyrë.
Por pikërisht një skenari të tillë i druhen PD-ja dhe partia e Metës. Me Edi Ramën kryeministër, ata mendojnë se i humbin zgjedhjet. Dhe meqë Meta nuk ka instrumenta për ta detyruar Ramën të dorëhiqet, shpërndarja e Kuvendit nuk do t’i shërbente strategjissë opozitare për të shkuar në zgjedhje pa Ramën në Kryeministri…
Po a ka mundësi praktike ta shpërndajë Meta Kuvendin, në qoftë se ky i fundit nuk pranon të shpërndahet. Meta mund të nxjerrë një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, por ky i fundit duke iu referuar edhe deklaratave zyrtare të kancelerive perëndimore mbi legjitimitetin e tij, e atakon dekretin në Gjykatën Kushtetuese.
Por kjo e fundit ka vetëm një anëtar aktualisht. Dhe Zoti e di se sa kohë do të duhet që ajo të plotësohet me 8 anëtarë të tjerë. Me pak fjalë, dekreti i Metës do të ketë vetëm vlerë propagandistike, deri kur të krijohet kuorumi i nevojshëm në Gjykatën Kushtetuese.
Me fjalë të tjera, lufta propagandistike mund të vazhdojë, por zgjidhja e krizës do të gatuhet (si zakonisht) në Berlin dhe Uashington. Dhe mund të jetë e ngjashme me atë të 17 majit 2017…