Zaloshnja: Revolucionet kalojnë nga xhepi, jo nga zyrat e partisë

OPINION


Nga Eduard Zaloshnja

Në secilën palë zgjedhje të çerek shekullit të fundit, ka patur incidente apo kontestime. Përjashim bëjnë vetëm ato të tetorit 1996. Sjellja e elektoratit në ato zgjerdhje është kyçi për të kuptuar se sa e vlerësojnë shqiptarët votën.


Zgjedhjet lokale të tetorit 1996 u zhvilluan vetëm pesë muaj pas zgjedhjeve famëkeqe të majit 1996, të cilat u konsideruan jo të lira e jo të ndershme nga OSBE/ODHIR, si dhe u kritikuan rëndë nga Uashingtoni e kanceleri të rëndësishme europiane. “Populli opozitar” ishte shumë i zemëruar pas zgjedhjeve të majit, ndërkohë që politikanët protestues opozitarë u rrahën keqazi nga policia e Berishës, në sytë e kamerave të televizioneve ndërkombëtare.

Ta donte mendja se, kur të zhvilloheshin zgjedhjet lokale (pas vetëm 5 muajsh), “populli opozitar” do të vazhdonte të ishte i zemëruar me brutalitetin e Berishës para, gjatë e pas zgjdhjeve parlamentare të majit. Por jo, asnjë incident nuk u shënua në zgjedhjet lokale të tetorit, asnjë parregullsi u vërejt nga vëzhguesit e OSBE/ODHIR, ndërkohë që kandidatët e Berishës për kryebashkiakë fituan në 80% të bashkive e komunave…

Çfarë magjie kishte bërë Berisha në pesë muaj? Në ata muaj, firmat piramidale shënuan lulëzimin më të madh, me reklama në Formula 1 dhe me Mario Kempesin trajner të Lushnjës, ndër të tjera. Ndërkohë, populli ende nuk e dinte se ato ishin thjesht skema piramidale, sepse Berisha e garantonte që ishin të pastra. Të pështjellë në histerinë e fitimeve të papara mujore (si dikur hollandezët në histerinë e tulipanëve në shekullin XVII), shqipëtarët iu përgjigjën me votë masive sloganit “Me ne fitojnë të gjithë”, të cilin Berisha e përdorte në tribuna elektorale, i shoqëruar nga bosat piramidalë.

Zhvendosemi disa muaj në kohë. Firmat piramidale falimentuan dhe dhjetra, në mos qindra, mijra shqiptarë u ngritën në revoltë për paratë (disa edhe për shtëpitë) e humbura në ato firma. Pas 4 mijë të vrarëve dhe 4 muajve të tjerë, u zhvilluan zgjedhje të parakohëshme.  Dhe populli jo vetëm që nuk votoi për kandidatët e Berishës, por nuk i la as të bënin fushatë poshtë Shkumbinit…

Me pak fjalë, kur shqiptarëve të thjeshtë iu dhunua vota e lirë nga Berisha, reaguan vetëm militantët opozitarë. Ama kur iu prek xhepi i tyre, nuk e falën Berishën…

Zhvendosemi 12 vjet në kohë. “Populli opozitar” u zemërua në 2009-ën, sepse Berisha nuk pranoi të hapte kutitë në disa qarqe, ku Edi Rama pretendonte se PS-së i ishin vjedhur mandate. Por pas shumë protestave dhe 4 të vrarëve me duar në xhepa në bulevard, “populli opozitar” u qetësua. Dhe kur Basha i mori bashkinë Ramës me votat e peshkuara në “kutitë e gabuara”, militantët opozitarë vetëm dogjën disa goma në rrugët kryesore. Me fjalë të tjera, 1997-ta nuk u përsërit…

Dhe vijmë tani në ditët e sotme.

Pas publikimit në media të disa përgjimeve që linin të kuptohej se Vangjush Dako kishte bashkëpunuar me pjestarë të një bande kriminale në Shijak (për të shtuar vota për PS-në në 2017-ën), opozita i dogji mandatet e veta parlamentare dhe organizoi protesta me militantë të sjellë me autobuzë e furgonë në Tiranë. Tek nuk ka regjistruar kandidatë për 30 qershorin, ajo ka kërcënuar se do të bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri, për sa kohë Rama nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Dhe kërcënimin e bazon tek revolta e pritshme e shqiptarëve, të cilët, sipas saj, do të ngrihen në masë në çdo qytet, për të mos lejuar Ramën të zhvillojë zgjedhje.

Analiza e mësipërme na tregon se nuk ka gjasa për revoltë masive në lidhje me votën, për sa kohë nuk janë prekur drejtpërdrejt xhepat e shqiptarëve të thjeshtë. (Prekja e tërthortë e xhepave të shqiptarëve ka dekada që ndodh përmes taksave të shpenzuara për rrugë të tipit Rrëshen-Kalimash, që kanë kushtuar 220 milionë euro më shumë se ç’duhej, etj. etj.)

Kuksianët u ngritën masivisht kundër pagesës 5 euro në tunelin e Kalimashit, spese u prek drejtpërdrejt xhepi i tyre. Studentët u ngritën masivisht kundër pagesës për provimet e mbartura, sepse u prek drejtpërdrejt xhepi i tyre. Tiranasit u ngritën masivisht kundër sjelljes së lëndëve kimike siriane, sepse menduan se do të rrezikohej jeta e tyre. Ndërsa për bllokimin e zgjedhjeve në 30 qershor, mendja ta do se do të dalin në rrugë vetëm militantët e përhershëm të partive…




Skip to toolbar