Zaptuan plazhin, hetim nënkryetarit të bashkisë Sarandë dhe 6 biznesmenëve

AKTUALITET


Në kuadër të operacionit “Plazh i Lirë” policia e shtetit njofton se ka çuar për procedim penal nënkryetarin e bashkisë së Sarandës, Jorgo Mitro pasi nuk ka ekzekutuar vendimin e kryetarit të bashkisë për lirimin e një sipërfaqe plazhi publik në Ksamil që shfrytëzohej nga privati në mënyrë të paligjshme. Policia gjithashtu ka kërkuar procedim penal edhe ndaj 6 pronarëve të subjekteve të ndryshme, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.

Gjatë këtij operacioni policia ka liruar dhe ka kthyer në dispozicion të pushuesve 10 000 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme në Ksamil.

Është  proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur “Pema” në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.

Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jal, ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet  “Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.

Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti) dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në subjektet e tyre  në  lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.

Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në Divjakë, Policia ka proceduar penalisht  shtetasen  E. A., 38 vjeçe, banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.



Skip to toolbar