Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë vetë avokatin mbrojtës gjatë seancës gjyqësore të mbajtur ndaj tij më 10 shtator. Seanca, që zgjati rreth 7 orë, u shty për një përgjigje përfundimtare më 19 shtator për ish ministrin, për të cilin prokuroria kërkoi 12 vite burg. Më herët gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar, që nëse miratohet pretenca e prokurorisë i bie që Tahiri të kryej 8 vite burg. Ish ministri akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Edhe pse Saimir Tahiri ishte i shoqëruar në seancë nga avokati i tij Maks Haxhia, ai zgjodhi ta mbronte vetë veten duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e prokurorisë duke paraqitur fakte të reja. Ish ministri ka “lënë pa fjalë”, prokurorët e çështjes së tij, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela, ndaj të cilëve iu drejtuar se priste fakte konkrete kundër tij dhe jo aludime. “Doja të dëgjoja sot provat konkrete. Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria të më thotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, tha ish ministri.
Gjatë dëshmisë për mbrojtjen e tij, Tahiri ka folur për të gjitha akuzat e ngritura nga çështja e radarëve deri tek shpenzimet e kryera si ministër. Në lidhje me fikjen e radarëve të ushtrisë, ish ministri Tahiri ka publikuar një dosje të cilësuar “Top Secret”, të cilën ia kishte dërguar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ku e ka informuar se policia ka konstatuar se radarët nuk punojnë.
“Unë në kohën që kam qenë ministër i Brendshëm, në vitin 2016, i kam dërguar një shkresë konfidenciale, “Top Secrete”, koleges sime, ish-ministres Mimi Kodheli. Në këtë shkresë, e kam vënë në dijeni se radarët e ushtrisë nuk punonin, pasi Policia kishte konstatuar mosfunksionimin e tyre, duke hapur një rrugë të re për trafikun e drogës.”-ka thënë Tahiri gjatë mbrojtjes së tij, por nuk ka lënë pa përmendur edhe si absurde akuzat e prokurorisë ku në kohën që luftonte Lazaratin, ai paska bërë trafik droge. “Ata më akuzonin për trafik droge në një kohë që luftonim me Lazaratin. Si mund t’i bëja të dyja. Mos harroni kurrë ministrinë që isha dhe luftën që kam bërë kundër drogës. Ndërkohë që luftoja Lazaratin t’i shkelja syrin disa trafikantëve. Është një gënjeshtër e madhe që mu desh kohë ta çmontoja.” është shprehur Tahiri.
Tahiri ka folur edhe në lidhje me akuzat që e lidhin me ish drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën, për të cilin prokuroria ka kërkuar gjithashtu 12 vite burg. Tahiri tha se ka qenë Jaeld Çela ai që ka luftuar rrjetin e trafikut dhe parcelat e drogës së Moisi Habilajt. Sipas Tahirit kjo akuzë është e pabazë dhe jo logjike, pasi i bie që në këtë rast grupi të ketë luftuar njëri-tjetrin.
“Si është e mundur që ja kemi futur njëri-tjetrit? Si është e mundur që një ministër të ketë rolin e ndihmësit? E pse qenkam unë “ministri” dhe jo një ministër nga Vlora? Çfarë kam bërë unë, ngarkim-shkarkim? Apo i kam shpërndarë cigare grupit?” janë disa nga pyetjet që Tahiri iu ka drejtuar prokurorëve, ndërsa ka zbardhur edhe një email konfidencial që Gjergj Kohila, ish-Shefi i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Vlorë, i cilësuar si i pandehur në këtë çështje, i ka dërguar prokurorit, Dritan Prençi. Kohila i ka dërguar këtij të fundit një e-mail konfidencial ku kallëzon vëllezërit Habilaj dhe kërkon nga prokurori që të nis një çështje penale ndaj tyre. Mirëpo, si për ironi, ky prokuror kërkoi përgjegjësi penale për Kohilën duke e akuzuar për trafik droge në bashkëpunim me Habiljat. Ky e-mail i nxjerrë nga Tahiri, ka gjetur të papërgatitur organin e akuzës e veçanërisht prokurorin Dritan Prençi i cili nuk ka thënë asnjë fjalë.
Në seancën e gjatë gjyqësore, Tahiri nuk la pa përmendur edhe akuzat për shpenzime apo për përfitimin e 30 mijë euro nga grupi Habilaj. Tahiri tha se prokuroria ka bërë hetime të plotë të pasurisë së tij dhe shpenzimeve të bëra si ministër, dhe u rezulton se çmimi më i shtrenjtë i paguar është vetëm 140 euro nata. “Prokuroria ka hetuar të gjithë lidhjet e mia shoqërore dhe ka pyetur me letër porosi, se c’ punë kishte këtë nuk e di. Ka çuar letër porosi dhe ka pyetur edhe për çmimet e hoteleve ku kam fjetur, në media u tha se unë flija në hotele me 1 mijë euro nata. Por ju garantoj se me letër porosi është garantuar se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro, jo si ajo tjetra që paguante 900 euro nata.” ka thënë Tahiri.
Ndërsa në lidhje me përfitimin e 30 mijë eurove nga anëtaret e bandës Habilaj, Tahiri tha se këtë gjë prokuroria e ka vërtetuar se Saimiri i 30 mije eurove ishte një shofer kamioni dhe jo unë, e megjithatë e la gjithë zallamahinë te vazhdonte pasi kështu i interesonte për të mbajtur gjallë çështjen.
Akuzat se Saimir Tahiri ishte ‘Shefin i madh” në përgjimet e Habiljat me të cilin, anëtarët e bandës do të drekoni, ish ministri iu përgjigj se atë ditë që bëhet biseda, ndodhej në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe ka dalë në konferencë me komisionerin për Zgjerim. “Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës” ka thënë Tahiri.
Vetë avokati i tij personal e cilësoi një mbrojtje brilante gjatë një deklarate për mediat, ndërsa Tahiri tha për gazetarët se provat e pafajësisë i ka vetë prokuroria, por ato nuk duan t’i lexojnë siç duhet dhe bëjnë aludime të kota. / RealStory