Zbulimet arkeologjike në Durrës / Rama: Vijon restaurimi i mureve antike

AKTUALITET


Punimet për restaurimin e mureve antike të zbuluara së fundmi pranë shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës, si dhe për rehabilitimin e plotë të zonës përreth, po vijojnë me ritme të shpejta. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale.

Gjatë gërmimeve dhe punimeve në këtë pjesë të qytetit bregdetar, kërkimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë struktura të rëndësishme historike, mes të cilave pjesë nga sistemi i vjetër fortifikues i Dyrrahut antik, puse uji, si dhe mbetje të mirëruajtura të një akuadukti nga periudha romake.

Kreu i qeverisë nëvizoi se ky projekt përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë për të mbrojtur dhe integruar pasuritë historike në jetën urbane të qytetit.

“Një investim i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë arkeologjike, duke e bërë atë të aksesueshme për qytetarët dhe vizitorët,” u shpreh Rama.

Me përfundimin e restorimit dhe rehabilitimit të hapësirës përreth, kjo zonë pritet t’i shtohet hartës së pasur të pikave të interesit turistik dhe kulturor në qytetin e Durrësit, duke u kthyer në një tjetër dëshmi të hapur të historisë mijëvjeçare të qytetit bregdetar. A.K.



Skip to toolbar