Ministria e Financave në kuadër të aksionit të anti informalitetit kanë zbuluar 76 ton kafe të pjekur në një magazinë në Vorë e cila nuk kishte shlyer detyrimet ligjore.
Ndërsa publikon këto të dhëna, kryeministri Rama premton luftë paligjshmërisë financiare në çdo magazinë doganore.
“Zbulohet depozita me mall të fshehur në sasinë 76 mijë kilogram “kafe e pjekur” dhe aktivizohet masa ligjore, me detyrim dëmshpërblimi shtetit sa 3-fishi i masës së pagesës👊
Lufta kundër abuzuesve vazhdon papushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës”, shkruan Rama.
Në këtë inspektim në zonën e Vorës ka qenë e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave,Arlinda Gjokuta.
Ministrja Denaj tha se nga analiza që bëhet çdo javë në kuadër të zbatimit të Planit Operacional kundër informalitetit rezulton se në produktet e akcizës, si karburanti, pijet alkoolike, kafja apo cigarja, ka shkelje nga ana e subjekteve dhe ndaj i bëri thirrje biznesit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Administratën Doganore dhe Tatimore në kontrollet që ushtrohen nga ana e tyre, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e ndershme në treg.
“Ky Plan Operacional, i cili do të shtrihet gjatë gjithë muajit gusht për të gjithë produktet e akcizës, do të vazhdojë edhe në muajt e tjerë. Synon të evidentojë paligjshmërinë dhe në ato subjekte ku paligjshmëria është evidentonte, kuptohet që gjobat janë shumëfish dhe kjo gjobë nuk vlen për asnjë biznes, i cili vendos të punojë brenda rregullave të caktuara brenda Kodit Doganor. Është shumë e rëndësishme që biznesi të kuptojë që ky nuk është një aksion. Ky është një Plan, i cili do të vijojë përgjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë muajve, dhe nuk do të kufizohet vetëm në një analizë të disa muajve. Është në ndihmë të një konkurrence të ndershme për biznesin në Shqipëri, i cili përfaqësohet si nga investitorë vendas, ashtu edhe të huaj, dhe të gjithë kanë të drejta të barabarta para ligjit”, u shpreh Ministrja Denaj.
Ministrja pohoi se Ligji i Akcizës i vitit 2012 ofron lehtësi për bizneset që tregtojnë produkte të akcizës, pasi nuk detyron më subjektet për pagesë para kohe, por iu jep atyre mundësinë e vetëdeklarimit, çka është në ndihmë të tyre.
Më tej ajo sqaroi se kontrollet dhe inspektimet aktuale janë duke u zhvilluar mbi një analizë që nga fillimi i vitit 2018 e deri më sot dhe në një fazë të dytë të zbatmit të Planit Operacional kontrollet do të zhvillohen mbi një analizë që do të shtrihet edhe disa vite më përpara.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Arlind Gjokuta, informoi se Plani Operacional po zbatohet nga të gjitha degët doganore në vend dhe se kontrollet bazohen në bazë të informacioneve të sistemit të vlerësimit të riskut, me fokus të veçantë në subjektet e mëdha.
“Në vijim të zbatimit të planit operacional të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur qe prej datës 1 korrik, ka vijuar kontrolli i të gjithë subjekteve që tregtojnë produktet e akcizës. Fokusi kryesor ka qenë te produktet e karburantit, por nuk janë lënë pas dore edhe produktet e tjera siç janë pijet alkoolike, kafja apo duhani. Plani është i ndarë sipas produkteve dhe përsa i perket pijeve alkoolike, fokusi kryesor gjatë këtij muaji ka qenë te produkti i birrës dhe do të vazhdojë të jetë aty. Të gjithë strukturat tona janë fokusuar si në fabrikat e prodhimit të birrës, ashtu edhe te magazinat fiskale të stokimit”, u shpreh Gjokuta.
Ndërkaq subjektit që kishte në pronësi kafen pa akcizë është gjobitur me 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro ose thënë ndryshe 150 mijë euro.