Mbetjet plastike janë një problem botëror, që po shkatërron shumë ekosisteme dhe ndot oqeanet. Sipas studimeve mendohet se brenda vitit 2050, do ketë më shumë mbetje plastike në oqeane se sa peshq.
Kjo lindi nevojën e zbulimit të mënyrave dhe teknologjive që të shpërbëjnë plastikën dhe ta kthejnë atë në mbetje të rigjenerueshme. Dy studente, Jeanny Yao dhe Miranda Wang, zhvilluan një bakter që ka aftësinë të kthejë plastikën në CO2 dhe ujë.
“Në këtë mënyrë do shpëtojmë dhe pastrojmë oqeanet dhe të mos cenojmë ekosistemet. Është e pamundur që njerëzit të ndalojnë së përdoruri plastikën, prandaj është e nevojshme zhvillimi i një teknologjie që e shpërbën këtë material, që e kthen plastikën në material të rigjenerueshëm”- shprehet Miranda Wang.
Procesi i shpërbërjes së plastikës nga bakteret do ndahet në dy faza. Fillimisht plastika shpërbëhet dhe enzimat që veprojnë si katalizatorë gjatë këtij procesi e kthejnë atë në fraksione të vogla që mund të petëzohen. Më pas në fazën e dytë këto fraksione apo petëzime vendosen në një stacion riciklimi, si ato ku trajtohen edhe mbetjet ushqimore. I gjithë procesi për ta kthyer plastikën në ujë mendohet të zgjasë 24 orë.