Një grup i strukturuar kriminal, të cilët organizonin trafikun e qytetarëve nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe është goditur nga policia e Tiranës, duke vënë në pranga organizatorin kryesor dhe tre bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Arrestimi i tyre u bë gjatë operacionit të koduar “Departure”, ku sipas të dhënave të grupit hetimor, grupi siguronte për qytetarët karta italiane të falsifikuara dhe kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, siguronte kalimin për në vendet e BE-së, me destinacion final Anglinë.
Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë kapur nga policia kufitare me dokumente italiane të falsifikuara dhe konkretisht karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, A. C.,19 vjeç, banues në Koplik, F. L., 25 vjeç, banues në Durrës dhe K. A., 30 vjeç, banues në Durrës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 celularë, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë–Lubjanë, 4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë–Paris. Operacioni vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.